Emri origjinal i kësaj ëmbëlsire është Sbrisolona. Ju këshillojmë të mos hani më tepër se një copë…Mund ta përgatisni dhe ta ruani për 2-3 ditë! Kremi në brendësi e bën më të freskët se një ëmbëlsirë thjesht me brumë dhe fruta…
Nga Linda Fishta, Foto Armand Habazaj
Përbërësit për brumin për tavë me diametër 24 cm:
1 kokërr vezë
300 g miell
100 g sheqer
100 g gjalpë i butë, si krem
15 g sodë për ëmbëlsira
1 bustinë vanilje
Përbërësit për kremin:
1/2 kavanoz reçel luleshtrydhesh – jo i domosdoshëm
250 g rikota
350 g luleshtrydhe të prera në copa të vogla
2-3 lugë sheqer – në varësi të ëmbëlsisë së luleshtrydheve
Përgatitja:
Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C.
1. Në një tas, përziejmë me dorë miellin, sodën dhe gjalpin duke krijuar thërrime. Shtojmë sheqerin, vaniljen dhe vezën dhe i përziejmë akoma (përsëri do të kemi thërrime).
2. Në një tas tjetër, përziejmë me pirun rikotën me sheqerin dhe luleshtrydhet.
3. Në tavën ku kemi shtruar letër furre ose e kemi lyer me gjalpë e miell, hedhim me dorë thërrime brumi duke mbuluar bazën e tavës por dhe anësoret e saj, duke i shtypur pak me dorë. Shpërndajmë me lugë pak reçel në gjithë sipërfaqen, shpërndajmë kremin me luleshtrydhe dhe sipër shpërndajmë thërrimet e brumit.
E pjekim për rreth 35/40 minuta.
Shënim: nëse nuk do të përdorni reçel, shtoni 50 g më shumë sheqer te brumi dhe 2 lugë të tjera te kremi.