Ka nisur zyrtarisht puna përgatitore për çeljen e negociatave, apo siç njihet ndryshe procesi screening.
Në Bruksel është zhvilluar takimi i parë shpjegues i legjislacionit të BE-së për kapitullin e 23-të të negociatave të anëtarësimit “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
Delegacioni shqiptar kryesohej nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kjo e fundit ka dalë në një konferencë të përbashkët për mediat me Komisionerin për Zgjerimin Johanes Hahn dhe homologun e Maqedonisë.
Komisioneri Hahn vlerësoi përpjekjet që ka bërë Shqipëria.
“Shqipëria ka bërë progres në reformën në drejtësi, është në rrugën e duhur drejt BE-së”, tha ai.
“Nuk kam ditë fikse në mendje, por jam i kënaqur nga procesi i vetingut, duhet bërë akoma punë, ka shumë punë për të bërë deri në verën e vitit 2019, e mbështesim shumë këtë proces, por është edhe një detyrë shumë e fortë nga ana e Shqipërisë, që duhet ta përmbushë dhe nuk duam të humbasim aspak kohë, të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm,të mos harrojmë që duhet shumë punë për tu bërë që të arrijmë rezultatin e duhur, deri në verë të 2019”, tha Hahn.
Ndërkohë, ministrja Gjonaj u ndal te procesi i vettingut që sipas saj ka rikthyer besimin te drejtësia. Ajo tha se procesi po vijon me vendosmëri deri në pastrimin e plotë të sistemit.
“Procesi screening është mjaft i rëndësishëm dhe shënon një faqe të re për mobilizimin e vendit për vijimin e reformave. Vendimi për të hapur negociatat në 2019 e vendos Shqipërinë në kushte duke i dhënë fuqi dhe në fillim të këtij procesi është një përballje për përgatitjen e negociatave. Nuk është vetëm takim teknik. Reforma e drejtësisë ka garantuar një transformim të plotë të sistemit të drejtësisë dhe me zbatimin e saj Shqipëria do të jetë në krah të vendeve evropiane duke rikthyer besimin e shqiptarëve. Kapitulli 23, më i vështiri dhe që duhet më shumë kohë, në rastin e Shqipërisë do të synohet që të mbyllet në një fazë të hershme. Vettingu ka kthyer besimin e munguar, por po transformohet duke larguar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh. Procesi po vijon me vendosmëri. Rruga e shqiptarëve dhe rajonit është familja evropiane”, tha Gjonaj.
/b.d