Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas publikimit të dëshmisë së ish-nënkomisarit të policisë Emiliano Nuhu i cili akuzoi deputetin socialist Rrahman Rraja, dhe vëllain e tij se e kanë kërcënuar në zyrë në prezencë të kryetarit të grupit të PS Taulant Balla.
Ndërkohë, sot u bë publike edhe një letër që ai i adresonte drejtorit të Policisë Ardi Veliu dhe kryeministrit Rama ku deklaronte se vëllai i deputetit, i vuri pistoletën në kokë.
Gjithçka sipas tij ndodhi pasi ai do arrestonte djalin e deputetit Rraja, që kishte përdhunuar një vajzë të re.
Në daljen për mediat, kreu i PD Basha tha se qeveria po manipulon të vërtetën. Ai u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë me forcë ndaj pushtetit të inkriminuar siç e quajti ai.
“Kur shtetin e ka krimi dhe qytetarëve u mbetet vetëm dhuna për të mbrojtur jetët e tyre”, tha Basha.
Basha tha se “ky oficer, me detyra të rëndësishme, dëshmon se si është sulmuar nga kriminelë dhe politikanë, sepse u përpoq të mbronte një vajzë të pafajshme që është torturuar mizorisht nga familjarë të pushtetarëve”, tha Basha.
Basha ka sulmuar edhe ndërkombëtarët që sipas tij po bëhen mbrojtës të pushtetit të inkriminuar me heshtjen.
“Një vajzë e pambrojtur është rrëmbyer, dhunuar, përdhunuar në mënyrë sistematike. I gjithi është krimn shtetëror. Para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm sadisti njerëzor Rexhep Rrahja, por edhe pushtetërët që i dhanë mbrojtje. Rrahman Rrahja, Artur Bushi, dhe Taulant Balla, ky i fundit politikan bandit i zhytur në botën e krimit. Ky krim i rëndë kundër njeriut, i mbrojtur nga funksionarët e shtetit, është këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë.
U bëj thirrje qytetarëve, veçanërisht grave e vajzave të mos heshtin por të ngrenë zërin kundër krimit shtetëror. Nëse nuk ngremë zërin, krimi nuk do kursejë asgjë. Vetëm forca e njerëzve të bashkuar mund t’i bëjë ballë e ta mposhtë diktaturën e krimit.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos mbyllë sytë sërish, por të shohë nivelin e kapjes së shtetit, për të mos u bërë me heshtjen mundësuesit e shtetit të inkriminuar”, tha Basha.