Kryeministri Edi Rama në një takim me përfaqësues të Partisë Socialiste si dhe ata që pritet të anëtarësohen, ka komentuar sulmin e djeshëm të PD në drejtim të deputetes Klotilda Ferhati.
Kreu i qeverisë tha se dje Klotilda u bë objekt i një sulmi të vrazhdë politik, ndërsa shtoi se gjithçka bëhet për luftëra personale.
Ditën e djeshme, Partia Demokratike deklaroi se bashkëshorti i deputetes së PS-së kishte përfituar nga qeveria ‘Rama’ përmes tenderave, duke dhjetëfishuar të ardhurat e kompanisë.
“Kemi zgjedhur një motiv që nuk është thjesht një slogan për të tërhequr vëmendje, por një përpjekje për të ndryshuar trajektoren e politikës tonë. E gjithë vëmendja për ju, e gjithë vëmendja për njerëzit.
Është tepruar tej mase dhe është derdhur çdo kupë duke e zhvilluar politikën si një veprimtari akuzash dhe kundërakuzash dhe kundërsulmesh reciproke në një arenë të mbyllur ku gjithnjë e më pak njerëzit janë të apasionuar. Politika është një forcë që ka lindur për të bërë mirë dhe jo për të bërë keq. Pa politikën nuk do kishin ekzistuar SHBA dhe as BE, sa për të dhënë një ide.
Pa politikën nuk do kishte Shqipëri të pavarur, demokratike. Pa politikën s’do ishte e mundur që të bëheshin shumë gjera që të sjellin të mira në jetën e njerëzve. Ajo ka dhe kapacitetin që të bëjë keq.
Kur erdha këtu bëra një dallim në rreshtin që kalova dhe i dhashë një përshëndetje Klotildës, për arsye se dje në mbrëmje u bë objekt i një sulmi të vrazhdë politik si rezultat i asaj që po thosha tani. Si rezultat i politikës të keqpërdorur për luftëra personale që vishen me politikë”, tha Rama.
/b.d