Procesi gjyqësor ndaj dy ish-drejtuesve të “CEZ Shpërndarje” Josef Hysek dhe Jan Ivan ka rinisur por ende nuk ka asnjë të dhënë për vendodhjen e ish-drejtorit të DIA-s Elvis Mata.
Ky i fundit është kërkuar nga prokuroria për të dëshmuar por prej një viti nuk ka asnjë informacion për vendodhjen e tij.
Dëshmia e Matës cilësohet si mjaft e rëndësishme nga organi i akuzës për të vërtetuar akuzat ndaj çekëve. Ndaj tyre rëndojnë së paku tre akuza: shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe vjedhje.
Procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të CEZ zhvillohet në mungesë. Në seancën e zhvilluar, u lexuan deklarimet që Mata ka dhënë gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria.
Ndërkohë, për Ivan dhe Hysek janë dërguar letërporosi në Francë dhe Çeki por nuk ka pasur asnjë përgjigje rreth vendodhjes së tyre.
Ndërkohë, në seancën e fundit, avokati i tyre Arben Rakipi kërkoi të shpallen të pavlefshme disa raporte që sipas tij janë bërë pa dijeninë e klientëve të tij.
Dy shtetasit çekë akuzohen se kanë përfituar miliona euro nga falsifikimi i bilanceve të borxheve të CEZ, që mblidheshin nga kompania e kontraktuar DIA.
Kujtojmë se pronari i DIA-s Katriot Ismailaj u dënua me 11 vite burg. Atij i është sekuestruar një pasuri me vlerë rreth 5 milionë dollarë./a.m.