Një nga oligarkët e përmendur nga kreu i opozitës në prezantimin e platformës për “Çlirimin e Ekonomisë” ishte edhe Bashkim Ulaj, kompanitë e të cilit kanë marrë më shumë para publike në kohën kur qeveriste Partia Demokratike.
Për më tepër, po nga qeveria Berisha, kompanitë e tij kanë marrë edhe koncesionin për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbona, ku edhe po has në beteja të shumta ligjore dhe jo vetëm, me banorët e zonës.
Vetë kreu i PD-së shpjegoi arsyet pse ka përfshirë emrin e Ulajt në listën e oligarkëve që përfitojnë tendera dhe koncesione abuzive, ndërsa foli edhe për koncesionin e hidrocentraleve mbi Valbonë.
“Ne nuk po flasim për gara të ndershme dhe për para të marra në mënyrë të ndershme, për zbatim projektesh, por për para të vjedhura nga populli dhe të përfunduara në xhepat e oligarkëve. Rasti i Valbonës bën fjalë për ndërtimin e disa veprave energjitike, me paratë e privatëve dhe që pas përfundimit të periudhës koncesionare, mbeten në pronësi të shqiptarëve. Në rastin aktual, qeveria po shet shërbime te privatët dhe bëhet fjalë për shërbime që populli nuk i merr kurrë, por që vetëm pasurojnë oligarkët dhe qeveritarët që fshihen pas tyre. Gjithsesi, koncesioni i Valbonës do të shihet nga ana mjedisore për lejen e dhënë”, tha Basha.
Basha: Dy gjërat që më diferencojnë nga Edi Rama
Gjatë intervistës për emisionin “open” me Eni Vasilin, kreu i Partisë Demokratike theksoi se ka dy pika që e bëjnë atë ndryshe nga kryeministri Rama.
Ai tha se nuk është ulur asnjëherë në tavolinë me kriminelë, ndryshe nga kryeministri aktual, që ka ardhur në pushtet dhe po qëndron aty, falë bashkëpunimit me ta.
Gjithashtu, Basha tha se ndryshe nga Rama, që përcakton fitues të tenderave publikë pa garë dhe zhvat shqiptarët, ai ka punuar për gara të ndershme dhe për shmangie të aferave korruptive.
“Unë kam një ndryshim të madh nga Edi Rama, pasi nuk jam ulur kurrë në tavolinë me kriminelë dhe për këtë ju sfidoj. Në ndryshim nga unë, kryeministri aktual ka ardhur në pushtet me ndihmën e krimit dhe po bashkëpunon me ta për të vjedhur shqiptarët. Gjithashtu, ndryshe nga ai, që përcakton fituesit e tenderave nga zyra, pa hapur fare garën, unë kam punuar vetëm me procedura të rregullta tenderimi, duke nxitur konkurrencën e lirë, ashtu siç duhet të jetë në një rend demokratik. Më akuzonin se flija gjumë kur isha në krye të bashkisë së Tiranës, sepse unë nuk bashkëpunoja me këta oligarkë për të dhënë leje kullash dhe për të shkatërruar pronën e përbashkët”, deklaroi Basha.
ma.me