Ideja për shkëmbim të territorit ose ndryshim të kufijve është moralisht problematike, nëse jo edhe propozim ofendues, mirëpo nëse kjo ide merr mbështetjen e të gjithëve në Kosovë dhe Serbi, rajonit mund t’i sjellë finalizimin e kufijve pas rënies së Jugosllavisë, thotë eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë të SHBA-së, Charles Kupchan.
Së fundi Kupchan ka thënë për New York Times se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin këtë ide. Ndërkaq në këtë intervistë për Radio Evropa e Lirë, shpjegon argumentet e kësaj mbështetjeje, për siç ka thënë “në thelb është një formë paqësore e spastrimit etnik”, dhe pse sipas tij presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq duhet të fitojnë konsensusin për këtë ide në vendet e tyre pasi, sipas Kupchan, kundërshtimi i Berlinit nuk është shumë domethënës.
Kupchan është i bindur se një Serbi e kënaqur, në të ardhmen do të ishte një pengesë e aspiratave të Millorad Dodikut për pavarësi të Republikës Serbe.
Kupchan flet edhe për sesi është e mundur t’i mbyllet dera ndikimit rus në Ballkan dhe pse është gabim ta shikojmë marrëveshjen Kosovë-Serbi si një konspiracion nga “kuzhina” e presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të së djathtës së re Stephen Bannon.
Radio Evropa e Lirë: Zotëri Kupchan, qëndrimi yt është që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të përkrahin një marrëveshje të mundshme midis presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ndryshimin e kufijve. A mund të na sqaroni pse?
Charles Kupchan: Shikoni, unë nuk jam dikush që beson se shkëmbimi i territoreve është diçka që duhet ta përshëndesim, në kuptim që ajo tregon për humbjen e parimeve të pluralizmit, tolerancës etnike dhe multikulturalizmit. Dhe, në njëfarë mënyre ajo që unë sugjeroj është të mbështesim faktin se situata në Kosovë dhe Serbi mbetet e pazgjidhur, dhe fakti se Qeveria e Serbisë refuzon ta njohë Kosovën dhe se vazhdon që në thelb të mbajë nën kontroll veriun e Kosovën, duke e lënë atë pjesë pa interesim që t’i përkas Kosovës.
Prandaj, këndvështrimi im është që në interes të vendosjes së një zgjidhje përfundimtare, dhe në këmbim të saj Serbia të bindet ta njohë Kosovën, shkëmbimi i territoreve, përderisa gjen mbështetje në Kosovë dhe Serbi, mirëpo jo vetëm ndërmjet Thaçi dhe Vuçiqit, por ndërmjet dy parlamenteve dhe opinionit publik, është një propozim i cili duhet të shkojë përpara në kuptimin që do të provojë të finalizojë kufijtë dhe politikën në Ballkan, si pasojë e rënies së Jugosllavisë.
Radio Evropa e Lirë: Njëri prej argumenteve tuaja është që marrëveshja potenciale për ndryshimin e kufijve në thelb është një formë paqësore e pastrimit etnik, por megjithatë do të ishte në rregull për ta bërë. Si është e mundur kjo? A janë kaq të ulëta kriteret tash? A nuk është bërë mjaft me pastrime etnike në Ballkan?
Charles Kupchan: Siç e kam thënë, mendoj se në aspektin moral marrëveshja është problematike nëse jo edhe fyese. Dhe, duke pranuar transferimin e popullsisë dhe faktin se shumica e serbëve nuk dëshirojnë të jetojnë me shqiptarët dhe anasjelltas, është një rrëfim trishtues dhe shqetësues.
Por, unë besoj se në një pikë dikush duhet të pranojë me pragmatizmit mbi parimet dhe mendoj se deri në njëfarë mase veç jemi kësaj rruge. Izolimi i vet Kosovës nga Serbia ka qenë pranimi i nevojës për vizatimin e kufijve të rinj përmes vijave etnike. Dhe, mendoj se shkëmbimi i territoreve që do të thotë se veriu i Kosovë t’i përkasë Serbisë dhe një pjesë e Preshevës t’i takojë Kosovës nuk është në thelb ndryshe nga vetë pavarësia e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Por a nuk mendoni se njerëzit në Ballkan duhet të mësojnë të jetojnë me të tjerët pavarësisht sa janë ndryshe, në vend të vizatimit të kufijve dhe mureve?
Charles Kupchan: Po, unë mendoj se në fund të ditës nuk ka alternativë ndaj tolerancës, komuniteteve të ndryshme etnike dhe religjioze të cilët jetojnë pa probleme përkrah njëri-tjetrit. Por, gjithashtu mendoj se kur njëherë provon dhe e kujton se lufta e cila në mënyrë efektive e largoi ushtrinë jugosllave nga Kosova ka përfunduar para 20 vjetësh, dhe pavarësia e Kosovës është shpallur qe 10 vjet, dhe ende keni mbi 4 mijë trupa të NATO-s në Kosovë, në një pikë i thoni vetvetes – dëgjo nuk është duke funksionuar-dhe eja të provojmë ndonjë alternativë.
Edhe unë gjithashtu mendoj se është e arritshme nëse jo e sigurt se normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të rrugës do të promovojë tolerancën në vend se ta minojë atë, pasi mund të çojë në atë që qeveria serbe të ndjehet e kënaqur në vend se e pakënaqur, dhe të bëhet dikush që sjell stabilitet në rajon dhe nuk krijon probleme.
Në anën tjetër, Kosova mund të fitojë një ndjenjë më të madhe të normalizimit dhe stabilitetit dhe si pasojë ata serbë që mbesin në Kosovë mund të kontribuojnë shumë në të ardhmen e vendit. Është e rëndësishme që të kemi parasysh që Kosova deri tani ka bërë punë të shkëlqyer në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, jo vetëm serbëve, por edhe romëve dhe pakicave tjera.
Topi në anën e Thaçit dhe Vuçiqit dhe jo SHBA-së dhe BE-së
Radio Evropa e Lirë: Administrata amerikane tashmë hapur po tregon se do ta mbështesë një marrëveshje të tillë. Megjithatë siç edhe vet keni theksuar në një shkrim se kancelarja gjermane Angela Merkel kundërshton fuqishëm këtë ide, në anën tjetër shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogerini dhe komisioneri Johannes Hahn janë për. Por, ata janë në përfundim të mandatit të tyre, ndërkaq kancelarja Merkel është edhe më tutje liderja më e fuqishme në BE dhe ajo ka të ngjarë të ketë ndikimin më të madh në zgjedhjen e administratës së re të BE-së. Pra, si mund të përfundojë gjithçka duke pasur parasysh këto fakte?
Charles Kupchan: Është shumë e vështirë të parashikohet, sepse siç e theksuat nuk ekziston një konsensus brenda komunitetit atlantik, dhe nuk ka një pajtim as nga vendet veç e veç. John Bolton ndoshta ka thënë se gjë pozitive “dëgjoni nëse të dyja palët pajtohen të vazhdojnë tutje me këtë ide…”, megjithatë ka një kundërshtim shumë të fortë ndaj kësaj ideje.
Unë me siguri bëj pjesë në pakicën në Shtetet e Bashkuara në bindjen se ka kuptim shkëmbimi i territoreve, nëse të dyja palët pajtohen për këtë. Pra, kjo është më shumë një proces në zhvillim.
Gjithashtu mendoj se zgjedhja e udhëheqësve të rinj të Bashkimit Evropian dhe Komisionit, nuk do të ndikojë ndjeshëm në atë nëse individët do të përkrahin shkëmbimin e territoreve. Kështu që mendoj se aktualisht topi është në anën e Thaçit dhe Vuçiqit. Ata duhet të shikojnë nëse mund të gjejnë konsensus, nëse mund të arrijnë konsensus të brendshëm në vendet e tyre. Nëse këtë e arrijnë, atëherë topi kalon në anën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të vendosin nëse do t’i përkrahin.
Argumenti im ka qenë se mbështetja e kufizuar e SHBA-së dhe BE-së ka kuptim sepse përmes saj krijohet situate në të cilën Thaçi dhe Vuçiq ndjehen se kanë mburojë politike dhe vazhdojnë tutje të shikojnë nëse mund të gjendet një marrëveshje.
Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se duke e përmendur argumentin e mëparshëm se zonja Merkel edhe më tutje është udhëheqësja më e fuqishme në BE dhe se me siguri do të ketë ndikimin më të madh në emërimet e ardhshme në administratën e BE-së, presidentët Thaçi dhe Vuçiq nëse dëshirojnë një marrëveshje duhet ta bëjnë këtë shpejtë, në vend se të presin administratën e re të BE-së. Dhe natyrisht a është kjo e mundur kur kemi parasysh se presidenti Thaçi nuk ka mbështetje të madhe në Kosovë as nga qeveria as nga opozita?
Charles Kupchan: Unë do të thosha se pengesa më e vështirë që të arrihet marrëveshja për të cilën po diskutojmë, nuk është as në BE as te Merkel, por nëse Thaçi mund të sigurojë mbështetjen e duhur në vendin e tij. Sepse, siç e theksuat, ky nuk është një propozim shumë popullor në Kosovë, pra nuk ka mbështetje të madhe politike.
Prandaj, kur shikoj në javët dhe muajt e ardhshëm nuk mendoj se pengesa kryesore për shkëmbimin e territoreve është në Berlin, por me siguri në Prishtinë dhe aty është vendi ku ne duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë.
Por, mendoj se përderisa kemi sinjale pozitive nga Uashingtoni dhe Brukseli, kjo ndihmon në ndërtimin e mbështetjes për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Kjo do ta bënte më të sigurt që Thaçi të gjejë momentumin e duhur politik për këtë.
Unë pajtohem me ju se tash për tash mbështetja politike në Kosovë për këtë është shumë e vogël.
Radio Evropa e Lirë: Shumë ekspertë të tjerë në Ballkan e kundërshtojnë fuqishëm këtë propozim sepse ata janë të shqetësuar se një vizatim i ri i kufijve mund të shkaktojë hapjen e ‘Kutisë së Pandorës’, veçanërisht kur bëhet fjalë për Bosnjë Hercegovinën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Pse ju nuk e keni këtë lloj frikë?
Charles Kupchan: Epo unë nuk mendoj se këto brenga janë të parëndësishme ose pa bazë. Unë mendoj se janë mundësi e vërtetë pjesërisht, pasi veçse po shohim se në Republikën Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik po shkon në drejtim të pavarësisë. Në Maqedoni e shohim një situatë ku raportet ndërmjet shumicës sllave dhe pakicës shqiptare mbeten problematike. Prandaj është e kuptueshme që shkëmbimi i territoreve do të inkurajonte tensione etnike në pjesë tjera të Ballkanit.
Por, mendoj se në përgjithësi situata në cilindo skenar, si në Maqedoni, Bosnje, Serbi ose Kroaci, varet më shumë nga ngjarjet dhe tendencat lokale brenda atyre vendeve dhe më pak nga ajo që ndodh në pjesët tjera të Ballkanit. Dhe siç e kam cekur më parë, nëse arrini marrëveshje dhe nëse Serbia në fund thotë se tash ndjehemi se kemi një ujdi me të cilën mund të jetojmë, ndoshta Beogradi do të luajë rol pozitiv në rajon. Pastaj në vend që të inkurajojë pavarësinë e Republikës Serbe do të fillojë të kundërshtojë çdo hap në drejtim të kësaj ideje.
Një Serbi e kënaqur mund të ndalojë rrugën e Dodikut kah pavarësia
Radio Evropa e Lirë: Situata në Bosnje Hercegovinë në prag të zgjedhjeve që janë paraparë më 7 tetor nuk është e mirë. Jo vetëm analistët vendorë dhe vëzhguesit kanë thënë se një situatë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më që nga lufta. A mendoni se ka potencial për të ndodhur diçka dhe se bisedimet për këto tema mund të hapin apetitet e Millorad Dodikut? Ai në thelb shumë hapur flet se dëshiron paqe dhe se do të pajtohej me një ndarje paqësore të Bosnje Hercegovinës?
Charles Kupchan: Mendoj se situata në Bosnje është shumë e brishtë dhe shikuam se si Dodik po sfidon gjykatat e Bosnjës, po sfidon BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja në fakt paraqiti sanksione financiare ndaj Dodikut për shkakun se ai u përqendrua në rrugën drejt pavarësisë së mundshme.
Pra, nuk ka dilemë se kjo është një situatë shqetësuese, por mendoj se dallimi kyç ndërmjet situatës Kosovë-Serbi dhe Bosnje – Republika Serbe është se në njërën anë shohim në shkëmbimin e territoreve me konsensus, ndërkaq në anën tjetër shohim një situatë plotësisht pa një konsensus. Dodik është duke ecur në këtë rrugë tërësisht pa mbështetjen e pjesës tjetër të Bosnjës dhe kjo krijon një situatë krejtësisht të ndryshme. Natyrisht duhet të theksoj se nëse Qeveria e Kosovës nuk e mbështet (marrëveshjen për shkëmbime të territoreve) dhe nuk do të kishte një konsensus për këtë, as unë nuk do ta përkrahja më një ide të tillë.
Radio Evropa e Lirë: Por, a nuk mendoni se Millorad Dodik nuk llogaritë në mbështetjen e disa faktorëve të jashtë, për shembull Rusisë, por edhe Serbisë?
Charles Kupchan: Mendoj se ai llogaritë në këtë. Por, një pjesë e mbështetjes time për marrëveshjen (Kosovë-Serbi) nëse do të ishte me pëlqimin e të dyja palëve, është një përpjekje për të shkuar drejtë një situatë në të cilën Rusia do të mbetej pa mundësinë të shfrytëzojë rindërtimin e konflikteve për të manipuluar rajonin. Siç e theksova, mund të shihet një situatë në të cilën Serbia niset drejt investimit për stabilitetin në rajon nëse ka marrëveshje më Kosovën, e cila me kohën do të shërbente për stabilitetin e Bosnjës.
Radio Evropa e Lirë: Ju gjithashtu keni theksuar se Serbia është lojtar dominues në rajon, por se ky lojtar po balancon ndërmjet Moskës dhe Brukselit. A mendoni se kjo është arsye për brengosje?
Charles Kupchan: Shikoni, unë mendoj se rusët janë të mirë në manipulimin e situatës. Ata janë të mirë në plasimet në rrjetet sociale. Aktualisht po tentojnë të bllokojnë Maqedoninë në rrugën drejt NATO-s.
Bindje ime është se nuk e dimë ku do të përfundojë kjo histori e përfshirjes së gjithë Ballkanit në NATO dhe Bashkim Evropian. Për mua pyetja kryesore është se kur dhe si do të ndodhë kjo dhe jo nëse do të ndodhë. Nëse shikoni BE-në që i tha Serbisë dhe Kosovës “perspektiva juaj për t’iu bashkuar BE-së varet nga normalizimi i raporteve”, atëherë nëse ekziston një plan për normalizim duhet të shqyrtohet me kujdes.
Kështu që mendoj se në fund të ditës, Rusisë do t’i mbyllet dera në rajon, për shkakun se rajoni do t’i bashkohej BE-së, por pyetja tani është se si të mbërrijmë deri aty.
Radio Evropa e Lirë: Shumë analistë mendojnë se marrëveshja e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka shkuar drejtpërdrejtë në duar të Rusisë dhe kjo është arsyeja që Moska tash për tash është e heshtur që nuk është shumë e zakonshme?
Charles Kupchan: E dini se ka nga ata që besojnë se ky propozim është konspiracion rus e cila është projektuar me Stephen Bannon ( ish-këshilltar I presidentit amerikan Donald Trump) dhe të tjerë në SHBA të cilët duan ta shohin politikën etnike dhe nacionalizmin sesi lulëzon në tërë Evropën dhe SHBA-të dhe unë mendoj se ka pak të vërtetë në këtë.
Po, Bannon dhe bashkëpunëtorët e tij janë në këtë rrugë dhe po kërkojnë të organizojnë lëvizje populiste në pjesë të ndryshme të Evropës.
Por, ju e dini unë jam dikush që mendoj se ky propozim (marrëveshja Kosovë-Serbi) vlen të merret parasysh prej fillimit, që nga koha kur Kosova e shpalli pavarësinë. Mendoj se edhe të tjerët që e mbështesin këtë ide e shohin atë jo si mënyrë për t’u përpjekur të ndajnë botën përmes vijave etnike por të kundërtën. Të qenurit pragmatik, shikoni këtë si mënyrë për të krijuar stabilitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një finalizimi të rajonit.
Në të njëjtën kohë, mendoj se nuk është e dobishme për ta parë këtë si konspiracion ndërmjet presidentit rus Putin dhe Stephen Bannon dhe të tjerëve që besojnë se është koha për të përhapur nacionalizmin etnik.