Shpëtim Duro e nis me fitore eksperiencën e tij në krye të Dritës në IPKO Superligën e Kosovës dhe këtë e bën ndaj Prishtinës së Mirel Josës.
Një derbi i trajnerëve nga Tirana i fituar nga 58-vjeçari Duro, që s’mund të kërkonte një start më të mirë në këtë aventurë të re. 1-0 përfundoi ky takim i vendosur nga goli i Arbër Shalës në minutën e 59-të.
Thaçi dhe Mustafa iu afruan golit të barazimit në minutat 62’ dhe 70’, por portieri Edvan Bakaj u shfaq në lartësinë e detyrës, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Nga minuta e 80-të, kampionët në fuqi luajtën me një lojtar më pak pas ndëshkimit të Liridon Lecit me karton të kuq për sjellje josportive ndaj gjyqtarit kryesor Dardan Çaka.
Për herë të dytë në këtë sezon (e mposhti edhe në Superkupën e Europës) Prishtina del e mposhtur nga përballja me Dritën, që duket se me Duron në stol po e kalon krizën e rezultateve të javëve të fundit.
Fitore e rëndësishme edhe e Gjilanit në fushën e Ferizajt me rezultatin 0-2. Perez dhe Sadriu ishin autorët e golave për gjilanasit në pjesën e dytë. Ferizaj mund të thuhet se është në krizë rezultatesh që pas suksesit të javës së parë me Lirinë, pasi në katër ndeshje ka marrë tri humbje dhe vetëm një barazim.
/b.d