Mustafa Nano thotë se ajo ç’ka e shqetëson në çështjen e Teatrit nuk është shembja e godinës së vjetër. Por, siç shprehet, shqetësimi i tij lidhet me paligjshmërinë dhe kompleksin e madh të kullave që pritet të ndërtohet aty ku sot ndodhet godina e vjetër.
“Madhe e njerëzve, të cilët, qoftë edhe ata më teatër-dashësit, nuk duket se kanë ndonjë dashuri për atë godinë të shëmtuar”, tha ai në një intervistë për “TemA TV”.
“Për mua shqetësimi im ka të bëjë së pari me një kontekst të tërë paligjshmërie, me një matricë paligjshmërie që verifikohet në këtë rast, dhe së dyti me disa ndërtime, me atë kompleksin e madh të kullave.
Nuk është se jam apriori kundër kullave, por një kompleks kullash i ndërtuar kështu, sa hap e mbyll sytë, në qendër të kryeqytetit, pa u hedhur njëherë në një projekt urbanistik, të cilin do mund ta shihnim të gjithë, është një gjë e çmendur.
Nëse do të ndërtohej një ndërtesë e re teatri aty ku është i vjetri, pa u ndërtuar dhe ato kullat e tjera dhe pa ato shkeljet ligjore që vihen re, unë do isha dakord, do isha njeri i gëzuar si teatërdashës, sepse do bëhej një teatër i ri”, shtoi ai.
“Personalisht, nuk bëhem merak fare nëse shembet ajo ndërtesë, biles jo vetëm nuk bëhem merak, por dua që ajo ndërtesë të shëmbet- tha Nano- por jo në këtë mënyrë, jo duke dhunuar ligjet e shtetit shqiptar dhe jo duke u kujtuar një mëngjes të bukur që ne aty mund të ndërtojmë edhe nja 6 kulla dhe hajde po i ndërtojmë.
Unë nuk jam me idenë që gjëra kaq të rëndësishme,kaq të mëdha, mund të bëhen kaq kollaj. Unë nuk jam me idenë që vendime për gjëra të tilla të mëdha të merren në mënyrë kaq të shkujdesur dhe kaq mendjelehtë. Mua kjo më shokon”.
Ai akuzoi kryeministrin Rama për një qasje prej sundimtari.
“Kryeministri Rama është me idenë se ideja e tij është shumë e bukur, aq e bukur sa mund t’ia lejojë vetes që të shkelë ligjin. Kjo është një qasje prej sundimtari”.
I pyetur “si e sheh fundin e kësaj historie”, u përgjigj:
“Fundin e kësaj historie e shoh, që do bëhet ajo që është nisur, për fat të keq. Dhe mua s’më mbetet tjetër, veçse të uroj që ndërtesa e re e Teatrit të jetë e bukur dhe funksionale, dhe t’i lutem Zotit që ai kompleksi i kullave në qendër të Tiranës të mos dalë si një kandërr e shëmtuar në panoramën urbanistike. Dhe të shpresoj që këta të përgjigjen një ditë për shkeljet e ligjeve që po bëjnë”.
Ju personalisht jeni për prishjen e teatrit?
Unë shqetësimin për teatrin nuk jam në gjendje ta ndjek dhe ta kuptoj. Alarmi që shumë njerëz ngrenë lidhur me ndërtesën e teatrit është një alarm që mua nuk më përket. Dhe unë nuk e kuptoj tendencën për ta katandisur këtë gjë si një punë artistësh, si një shqetësim artistësh, apo si një ndjeshmëri që ka lidhje me një ndërtesë që është relativisht e vjetër. Ajo që po ndodh aty, sipas meje, është diçka më e madhe se kaq.
Unë kam ndjekur edhe një numër intelektualësh publikë, si Maks Velo, Aurel Plasari, Rubens Shima, etj. I kam lexuar ndonjëherë edhe me disponimin për t’u bërë njësh me ata, me idenë për të qenë i hapur ndaj ndikimit të të tjerëve, me gatishmërinë për “t’u infektuar” prej tyre, por çdo gjë ka qenë e kotë.
Shqetyësimi i tyre nuk mbërrin dot deri te unë. Dhe po kështu nuk mbërrin as tek masa e madhe e njerëzve, të cilët, qoftë edhe ata më teatër-dashësit, nuk duket se kanë ndonjë dashuri për atë godinë të shëmtuar. Ajo ndërtesë është një karakatinë për mua. Kjo është pika ku unë jam ok me kryeministrin Rama.
Po historia e asaj ndërtese?
Sipas meje, kjo histori emfatizohet. Më duket si një shqetësim i kërkuar, i stisur.
Cili është shqetësimi juaj atëherë?
Për mua shqetësimi im ka të bëjë së pari me një kontekst të tërë paligjshmërie, me një matricë paligjshmërie që verifikohet në këtë rast, dhe së dyti me disa ndërtime, me atë kompleksin e madh të kullave. Nuk është se jam apriori kundër kullave, por një kompleks kullash i ndërtuar kështu, sa hap e mbyll sytë, në qendër të kryeqytetit, pa u hedhur njëherë në një projekt urbanistik, të cilin do mund ta shihnim të gjithë, është një gjë e çmendur.
Nëse do të ndërtohej një ndërtesë e re teatri aty ku është I vjetri, pa u ndërtuar adhe ato kullat e tjera dhe pa ato shkeljet ligjore që vihen re, unë do isha dakord, do isha njeri i gëzuar si teatërdashës, sepse do bëhej një teatër i ri.
Për të qendruar tek pjesa ligjore. Presidenti ktheu mbrampsh ligjin e posaçëm. Cili është komenti juaj?
Për mua në këtë rast presidenti i ka bërë jehonë shqetësimeve të kësaj natyre që ekzistojnë lidhur me paligjshmërinë, në këtu kuptim ai i ka bërë jehonë edhe shqetësimeve të mia personale sepse në gjithë këtë histori ka një këmbëngulje për ta shkelur ligjin nga ana e qeverisë, nga ana e kryeministrit, nga ana e bashkisë. Është një këmbëngulje e çuditshme se unë kam menduar gjithmonë se këta do kenë frena, do tërhiqen në një moment të caktuar, nuk do t’ia lejojnë vetes të sillen në këtë mënyrë. Sepse po shoh që për kryeministrin Rama ligji në këtë rast, madje disa ligje, janë optional. Do ai, i respekton. Do ai, nuk i respekton.
Ku e keni fjalën kur thoni ligjet të shkelura?
Janë disa. Për shembull, votimi final në këshillin bashkiak do të merret me shumicë të thjeshtë. Do duhej të merrej me shumicën e cilësuar 3/5. Kështu ka qenë. Madje, me sa di unë, ka qenë Rama që futur këtë shumicë të cilësuar 3/5. Shikoni, ne kemi aty një situate konkrete aty, ne kemi një pronë që është publike dhe qeveria ka marrë vendimin për ta zhvilluar atë si prone. Dhe kjo është ok.
Është në kompetencën e kësaj qeverie që të marrë vendime. Sepse për këtë është zgjehdur, për të marrë vendime. Për ta zhvilluar atë zonë ka një kontekst të caktuar ligjor, ka një korpus ligjor ka një numër ligjesh, të cilat nga njëra anë të mundësojnë ty ta zhvillosh, por nga ana tjetër të vënë limite të caktuara të cilat nuk mund t’i kalosh. Ky është funkskioni I të gjitha ligjeve.
Mirëpo kryeministri Rama është me idenë se idea e tij është shumë e bukur, aq e bukur sa mund t’ia lejojë vetes që të shkelë ligjin. Kjo është një qasje prej sundimtari. Një ide e bukur që aplikohet në shkelje të ligjit ëhstë nëj ide e shëmtuar. Një ligj i keq, apo i shëmtuar, që i bëhet një pengesë zbatimit të një ideje të bukur, duhet të vlejë më shumë sesa një një ide e bukur që zbatohet në shkelje të ligjit. Kjo ëhstë logjika e shtetit ligjor.
Dhe një kryeministër duhet të dojë më shumë ligjin sesa idetë e bukura. Sepse ideja e bukur ëhstë një gjë që është në kokën e tij, e nuk është e thënë të jetë në kokën e të tjerëve, ndërsa ligji, edhe i shëmtuar qoftë, duhet të jetë në kokën e të gjthëve. Të mbrosh një ligj qoftë edhe një ligj i keq ti i bën vendit një shërbim më të madh se sa kur kur ti i jep vendit një ide medemek të bukur duke shkelur ligjin.
Unë, me formimin tim, me kulturën time, me edukatën time, nuk njoh asnjë alibi të dhunimit të ligjit në emër të një gëjje të mirë, të bukur. Gjëja e mirë, e bukur, ëhstë të zbatojmë ligjin.
Në rastin tonë ne jemi në rrethanat që ekziston një korpus i caktuar ligjor, mbi bazën e të cilave duhet bërë ajo ndërhyrje. Dhe ky korpus ligjor as që i bëhet pengesë “idesë së bukur”. Kemi një pronë publike që duhet privatizuar mbi bazën e ligjit për privatizimin, kemi një ligj për Partneritetin Publik-Privat, nëse do të ecet në këtë linjë, kemi një ligj për koncesionet, kemi një ligj për tenderat, kemi një ligj për ankandet.
Pra ka një kornizë të caktuar ligjore dhe e gjitha duhet bërë brenda kësaj kornize, mund të bëhet brenda kësaj kornize. Mund të jetë një shteg i ngushtë ligjor, por ok, nuk ka rrugë tjetër. E vetmja rrugë për të kaluar ëhstë ky shteg i ngushtë ligjor. Por këta, me ç’duket, nuk kanë pasur në kokë atë idenë e bukur të cilën unë supozova. Këta kanë pasur në kokë gjëra të tjera, të cilave ligjet u bëhen pengesë. Dhe prandaj, atë shtegun ligjor e kanë shndërruar në autostradë.
Nuk e kalojmë dot në këshillin bashkiak? Punë e madhe. E çojmë në parlament, dhe e bëjmë një ligj të posaçëm. Janë shumë strukturat e agjencitë që duhen përfshirë në këtë histrori? Ok, i bëjmë pak. E bëjmë lojën me pak lojtarë, madje me vetëm tre: Kryeministria, Bashkia, parlamenti. E kështu me radhë.
Mund të na hyjnë biznesmenë të tjerë në lojë? Ok, ua bëjmë të pamundur për të hyrë. Duke mos u lënë shumë kohë në dispozicion. E kështu me radhë.
Lidhur me këtë çështje është përfshirë edhe Komisioni Europian. Ku ligji i posaçëm ai i pari, i’u dërgua KE për të pasur një gjykim. Komisioni Europian tha që nuk ndërhyjmë në Kushtetutën e Shqipërisë, po ama ligji duhet të sigurojë garë të hapur. Cili është komenti juaj?
Ky është një vëzhgim interesant dhe mund ta ndihmonte edhe mazhorancën, pasi mazhoranca kishte rastin që ta shihte këtë ndërhyrje të Komisionit si një alibi për justifikuar një hap prapa. Por mazhoranca e interpretoi në mënyrën e vet. U kap pas merakut të KE-së për konkurencën e lirë, dhe kështu na e hodhi këtë material në fytyrë, duke na thënë: e patë? Vetëm kaq ka qenë kusuri ynë, dhe ptrandaj mbylleni gojën. Kjo është një gjë tjetër e papranueshme dhe fyese.
Neve nuk ka pse të na interesojë në mënyrë të veçantë përgjigja e Komisionit Europian. Për ne është e qartë çdo gjë.
Kemi para edhe oponencën, qoftë nga artistët, qoftë edhe nga opozita, e cila i është bashkuar artistëve. Këta të fundit janë shprehur se do vijojnë protestën. Jo atë lloj proteste siç kanë bërë deri më sot, por kanë kërcënuar edhe me ngujim brenda godinës së Teatrit Kombëtarë. Do të sillte ndonjë zgjidhje?
Unë e thashë. Kjo nuk është punë artistësh. Është një lojë politike që i ka vendosur në qendër të vëmendjes, apo që këtë çështje e ka katandisur te meraku për një ndërtesë “të shenjtë”. Kjo ëhstë një lojë e atyre që duan të rrëzojnë Edi Ramën, dhe jo ndonjë betejë e atyre që u dhimbset ndërtesa e Teatrit. Këtu unë përjashtoj Maks Velon, Aurel Plasarin e ndonjë tjetër që, nga mënyra se si kanë folur, duket që ajo ndërtesë u dhemb, por sa për të tjerët, ata mua më duken se janë pjesë e kësaj historie me një axhendë politike. Dhe e kanë transformuar tërë kauzën.
Edhe duke e zvogëluar. Aty po ndërtohet një gjë stërmadhe që do ia ndryshojë fytyrën qendrës, e gjithë Tiranës, këta janë fiksuar pas një ndërtese të kalbur.
Personalisht, nuk bëhem merak fare nëse shembet ajo ndërtesë, biles jo vetëm nuk bëhem merak, por dua që ajo ndërtesë të shëmbet. Por jo në këtë mënyrë, jo duke dhunuar ligjet e shtetit shqiptar dhe jo duke u kujtuar një mëngjes të bukur që ne aty mund të ndërtojmë edhe nja 6 kulla dhe hajde po i ndërtojmë. Unë nuk jam me idenë që gjëra kaq të rëndësishme,kaq të mëdha, mund të bëhen kaq kollaj. Unë nuk jam me idenë që vendime për gjëra të tilla të mëdha të merren në mënyrë kaq të shkujdesur dhe kaq mendjelehtë. Mua kjo më shokon.
Si e shihni fundin e kësaj historie?
Fundin e kësaj historie e shoh, që do bëhet ajo që është nisur, për fat të keq. Dhe mua s’më mbetet tjetër, veçse të uroj që ndërtesa e re e Teatrit të jetë e bukur dhe funksionale, dhe t’i lutem Zotit që ai kompleksi i kullave në qendër të Tiranës të mos dalë si një kandërr e shëmtuar në panoramën urbanistike. Dhe të shpresoj që këta të përgjigjen një ditë për shkeljet e ligjeve që po bëjnë.