Ish-zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku deklaron se mbështetja ndaj kryeprokurores Arta Marku është patriotizëm në situatën ku ndodhemi.
Duke marrë shkas nga letra publike e Markut ku ajo sqaron procedimet disiplinore ndaj 10 prokurorëve që refuzuan shortin për dosjen “SHullazi”, Kopliku shprehet se: “Duhet të gjithë ne, ata që vërtetë duam një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ta mbështesim Prokuroren, ta përkrahim, dhe ta mbrojmë nga sulmi i prokurorëve dezertorë, ata ‘dhjetë’ të ‘krimeve të rënda’. Por ta mbrojmë edhe nga ata politikanët që vota e popullit i hodhi në opozitë, e që po dridhen nga frika se po afrohet dita e dhënies llogari, apo e zvogëlimit të mundësisë së vazhdimit të përfitimeve të pamerituara”.
“Ta mbështesim Prokuroren e ta mbrojmë nga sulmi i taborëve të masmediave që paguhen për të shpifur, për të denigruar çdo zyrtar të ndershëm të këtij shteti, aq më tepër Prokuroren, që guxon t’u prishë oazet e qetësisë kriminale, paguesve të tyre, urdhëruesve: kapo të hajdutëve, të trafikantëve të drogave etj., hajdutë të tenderave, shkatërruesve të urbanistikës, të ambientit, të detit, të plazheve”, vijon më tej Kopliku, në një shënim në Facebook.