Kryeprokurorja e përgjithshmë, Arta Marku është rikthyer sërish në Kuvend. Ndryshe nga seanca ku mori votëbesimin për detyrën, mes tymuese dhe dhunës së opozitës, në seancën e sotme, ku po prezanton raportin vjetor të prokurorisë, PD-LSI nuk janë të pranishme në seancë.
“Përqindjen më të ulët të kriminaliteti e ka qarku i Dibrës dhe më të lartën qarku Vlorë. Vjedhja e pasurisë përben numrin më të lartë të procedimeve penale”, deklaroi Marku.
Ajo dha edhe disa shifra konkrete për situatën e kriminalitetit dhe punën e prokurorisë.
“Janë 58.291 materiale proceduriale, 40.911 janë ndjekur nga prokurorët. Janë 12.205 të pandehur gjatë vitit të kaluar. Numri më i madh i procedimeve është në prokuroritë Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan e Korçë.
Sa i takon numrit të procedimeve bazuar te popullsia, janë1.094 procedime për 100 mijë banorë. Përqindjen më të ulët e ka Dibra ndërsa më të lartën e ka Vlora.
Ka një rritje me 10 % të veprave penale të referuara. Me gjithë sa ka rritje sasiore, duke marrë në konsideratë konkludohet se jo gjthonë rritja sasiore shoqërohet me rritje cilësore“, deklaroi Marku.
Opozita sot është mbledhur në Vlorë, në Kuvendin paralel që po zhvillon me seancën plenare.
Në krah të Idrizit e të Kryemadhit, Basha u shpreh se vendi është në emergjencë kombëtare. “Nuk ka më shtet, nuk ka gjykata, prokuroria ka rënë”, u shpreh Basha.
Por ndërsa Marku prezantonte raportin në Kuvend, ku tha se lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka qenë prioritet e institucionit që ajo drejton, Lulzim Basha përsëriti edhe një herët akuzat ndaj Prokurorisë se ajo tashmë ka rënë.
“Nuk ka më shtet, nuk ka gjykata, prokuroria ka rënë. Marku është shërbëtore e Edi Ramës dhe jo Prokurore e Përgjithshme”, tha Basha nga Vlora.
Javanews/a.ç