Nga Artur Ajazi
Gjithçka që partia opozitariste po deklaron, po publikon, po propogandon, dhe po paralajmëron ditët e fundit lidhur me “Vettingun në politikë”, duket se po ngjet me një shaka, ose më saktë një tallje të hapur që ajo forcë politike po bën me shqiptarët, për të mbrojtur pasuritë e paligjshme.
Tallje, sepse mungesa e spastrimeve (apo e katharsis) nga rradhët e saj, të ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit, tregon se akoma në kupolën e saj drejtuese ka mëndje të sëmura dhe hileqare. Ka akoma mentalitet marksist-leninist, sipas të cilit “ruaj dosjet dhe pseudonimet e bashkëpunëtorëve për ti përdorur ata më lehtë kur të vijë dita”. Pra gjithçka ka ndodhur në 30 vjet me atë parti, ka qenë mishërimi i zbatimit në praktikë i teorisë së konspiracionit, për të mbajtur pranë dhe promovuar pikërisht elementë të kompromentuar, për ti patur ata nesër kontigjente të “sulmit ndaj kundërshtarit politik”.
Vazhdimisht kur ka patur dhe ka Kuvende Kombëtare apo “përvjetore të partisë”, rrethi më i ngushtë i kupolës drejtuese të PD, rriste dhe ushtron presioni mbi ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit, duke i ndërsyer ata mbi cilindo që kishte dhe ka guximin, mbi këdo që merrte kurajon të bënte kritika, të akuzonte dhe denonconte “shefin e madh dhe shpurën e tij”.
Gjuetia e “shtrigave” ka qenë dhe mbetet avazi që vazhdon edhe sot e kësaj dite brënda një partie e cila nuk ka qenë plotësisht demokratike dhe kurrë nuk ka gjasa të bëhet e tillë, aq më tepër europiane, derisa drejtohet nga mentaliteti militantesk.
Dihet publikisht fakti se, qysh në fillimet e saj në PD mësynë ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit, duke arritur deri në majat e kupolës drejtuese të asaj force politike. Tani pas afro 30 vjetësh, kryetari i asaj partie zoti Basha (parti e cila shpesh është akuzuar nga brënda se ka në radhët e saj spiunë të ish- Sigurimit të Shtetit) ka hedhur “idenë” për zbatimin në politikë të Vettingu-t.
Aferim i qoftë, sepse edhe nga politika duhen larguar një orë dhe më parë të gjithë të lidhurit me krimin, të gjithë ata që erdhën me pantallona doku dhe u bënë me vila, pallate, fshatra turistikë, miliona euro në banka dhe makina të shtrenjta.
Por Vettingu në politikë, duhet bërë sipas disa rregullave dhe sipas të gjitha normave të shkruara nga ekspertët e huaj, dhe jo sipas udhëzimeve të enkeledëve dhe ervinëve. “Të ketë mbikqyrje ndërkombëtare dhe transparencë- thotë zoti Basha. Shumë dakort Lulzim, por ju Vettingu-n e doni për vehten, apo për spastrimin e klasës politike nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit ?
Një tjetër problem kryesisht për klasën politike dhe veçanarisht edhe për PD, mbetet edhe fakti se, a do të spastrohen nga ky Vetting, edhe ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit të rekrutuar qysh në vitin e parë gjimnaz ? Në rast se po, atëhere zoti Basha do të ishte i besueshëm deri diku, por ama edhe duke u verifikuar dhe kontrolluar çdo politikani edhe qindarkën e fundit, me të cilat ka blerë dhe ka bërë pasuri aq sa mund të blejë një qytet të tërë. Ashtu siç thotë një ditë, nuk thotë ditën tjetër zoti Basha.
Së fundi, ai ka hedhur në “treg” për konsum politik edhe “5 rregullat si mund të bëhet Vettingu për politikanët”. Hajde beso po deshe se kryetari PD e ka seriozisht Vettingu-n në politikë, hajde beso po deshe se ai kërkon patjetër të “spastrojë” partinë e tij nga të përlyerit me krimin dhe korrupsionin. Duke na treguar “5 rregullat e arta”, zoti Basha ngre alibira dhe hamendëson qysh tani rezultate mbi të ashtuquajturin “Vetting në politikë”, duke deklaruar madje se “Vettingu duhet të bëhet nga persona të pavarur nga politika dhe profesionistë”. Zakonisht kjo është pararoja e kundërshtive nga kryetari aktual i PD, pasi ai asnjëherë nuk ka për të pranuar asnjë emër të cilin edhe sikur ta propozojë vetë.
Dhe kjo ka ndodhur edhe me reformat në organet e drejtësisë dhe me largimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, si pasojë e zbatimit të Vettingut. Padyshim, kjo mesele, do të ndodhë edhe me shakanë tjetër të zotit Basha për “Vettingun në politikë”, derisa nxjerr çdo ditë enkeledët dhe ervinët të “zbërthejnë” nismën e tij më të fundit. Por para se të nisë ai proces, na thuaj zoti Basha, a do të ketë Vetting në politikë edhe për ish-spiunët e ish-Sigurimit të Shtetit (në rast se ka mbetur ndonjë akoma) që ka akoma edhe sot e kësaj dite në partinë tuaj?
a.ç