Ekspertët vënë alarmin se mediatizimi i terrorizmit po nxit veprimet e të sëmurëve mendorë apo po shërben si shembull për t’u marrë nga individët me personalitet të brishtë, sidoqoftë ata nuk duhen ngatërruar me xhihadistët e vërtetë, ku kauzat e tyre janë kryesisht politike, raporton ata.
Gjatë viteve të fundit, sulmet, që duken si aksidente të kryera me goditje me thikë apo me automjete, janë bërë nga persona që nuk kanë asnjë lidhje me lëvizjet xhihadiste, por që vuajnë nga prapambetje mendore apo çrregullime psiqike, pak a shumë në gjendje të rëndë.
Një studim i DGSI-së (Shërbimet e Brendshme Sekrete Franceze) bën me dije se nga viti 2010 deri në 2016 mbi 71 persona janë përfshirë në akte terroriste në Francë dhe se 30% e tyre vuajnë nga ”prapambetja mendore”.
Nisur nga ky fakt, psikiatri Marc Sageman, ish-agjent i CIA-s në Pakistan, sot ekspert pranë gjykatave amerikane në procese të shumta gjyqësore të xhihadistëve e quan ”efekti i imitimit”.
”Aktet terroriste janë të mediatizuara dhe individët që kanë probleme psikike thonë ‘përse të mos e bëj edhe unë’. Ata nuk janë aspak të radikalizuar, por kërkojnë të imitojnë veprimet e terroristëve”, thotë ai.
‘’Nisur nga kjo më vjen ndërmend japonezi i cili donte të kryente vetëvrasje. Ai lexoi në gazeta për sulmet terroriste të Londrës ku u shënuan 52 të vdekur. Ai u përpoq të krijonte një xhaketë me eksploziv për të hedhur veten në erë në metro. Kjo ishte forma e tij e vetëvrasjes. Mekanizmi i xhaketës nuk funksionoi dhe pas arrestimit nga policia iu drejtua pyetja se përse e kishte ndërmarrë këtë akt? Ai iu përgjigj thjesht se e kishte parë në media”, shton Sageman.
ma.me