Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka reaguar pas publikimit të një liste me emra të veteranëve, të cilët Prokuroria Speciale po i cilëson si mashtrues.
Lista është pjesë e një aktakuze të përpiluar fillimisht nga vetë ai, e të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dërguar ditë më parë në Gjykatën Themelore.Blakaj ka thënë, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, se nga ato që ka parë, ka vërejtur se janë shtuar 2.000 emra në listë.
“Së pari aktakuza paska pësuar ndryshime nga ajo që e kam përpiluar unë, sepse janë rreth 2.000 persona më shumë, për të cilët nuk kam as informacion se si janë selektuar dhe sesi janë përfshirë në aktakuzë”, ka shkruar ai.
Blakaj ka thënë se aktakuza ka ndryshuar, dhe se nuk mban përgjegjësi për këtë.
“Ajo që është më me rëndësi për të informuar publikun është se unë Elez Blakaj, tani ish-Prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk mbaj përgjegjësi për aktakuzën e ndyshuar/plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër, e as per publikimin e emrave, sepse ekziston nje parim i cili duhet respektuar-prezumimi i pafajsise”, është shprehur Blakaj.
Në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale, përgatiti Koha. (b.an)