Reduktimi i klasave kolektive nuk do të çojë në largimin e mësuesve nga sistemi.
Zëvendësministrja e Arsimit,Besa Shahini, shpjegon se bashkë me nxënësit do të transferohen në shkollat më të afërta edhe arsimtarët.
Një pjesë e këtyre të fundit do të integrohen në projekte të ndryshme si “Te bëjmë detyrat në shkolle”, apo do të ushtrojnë funksionin e mësuesit ndihmës.
Besa Shahini: Asnjë mësues nuk do të dalë nga sistemi, të gjithë do të integrohen. Ashtu si transferohet nxënësi do të transferohet dhe mësuesi. Për shkak të nismës “bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe nismës për të ofruar mësues ndihmës për nxënës me nevoja të veçanta, mësuesit do të riabservohen nga sistemi aty ku shkojnë dhe nxënësit.
Në përgjigje të akuzave të opozitës, zëvendësministrja Shahini thekson se nuk do të mbyllen shkollat por klasat kolektive.
Besa Shahini: Nuk mbyllen shkolla, mbyllen klasa kolektive. Ka shkolla ku ka klasa kolektive nga parashkollori deri në klasën e nëntë, transferohen nxënësit e klasës së gjashtë dhe nëntë por shkolla mbetet hapur dhe i ofron shërbim parashkollorit. Nuk mbyllet shkolla, ky është një koncept i gabuar.Nxënësit që punojnë të grupuar aty ku është e mundshme do të kalojnë tek një shkollë tjetër në mënyrë që të punojnë me klasë teke.
Shahini thotë se Ministria e Arsimit ka gati gjithë infrastrukturën për transferimin e nxënësve në shkollat më të afërta, ndërsa për klasat që do mbesin sërish kolektive do të ketë udhëzime të posaçme në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies. /OraNews/b.d