Një djalë i ri rreth të 20-ve ka humbur jetën pasi u sulmua nga një peshkaqen në shtetin amerikan të Massachusetts. Ngjarja ndodhi në plazhin Newcomb Hollow mesditën e së shtunës.
Policia tha se i riu u dërgua në spital i plagosur, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta që kishte pësuar. Sulmi nga peshkaqeni konsiderohet të jetë incidenti i parë me pasoja fatale në këtë shtet që prej vitit 1936.
Mediat amerikane bëjnë me dije se djali i ri po bënte sërf kur u sulmua nga peshkaqeni. Emri i tij nuk është bërë i ditur. Zyrtarët vendas njoftuan se plazhi do të jetë i mbyllur për pushuesit, të paktën për 24 orë. Një dëshmitar që pa ngjarjen tha se ishte tmerruar nga ky incident.