Plot 20 vite nga gjunjëzimi i shtetit shqiptar gjatë trazirave të 13 dhe 14 shtatorit 1998, të ndodhura menjëherë pas vrasjes së Azem Hajdarit, drejtësia shqiptare ka dështuar për të dhënë një version përfundimtar se çfarë ndodhi realisht gjatë atyre dy ditëve të kulmuara më 14 shtator.
Edhe pse për vite me radhë, Prokuroria këmbënguli se Kryeministria ishte sulmuar në mënyrë të organizuar, në përfundim ajo nuk ia doli mbanë të provojë akuzat e saj ndaj 20 të dyshuarve për kryengritje të armatosur, thënë ndryshe grusht shteti.
Në përfundim, në vitin 2008, Prokuroria tërhoqi fashikujt nga gjykimi dhe dosja u arkivua në Lundër.
Asokohe u mbajt në burg për 14 shtatorin. Sali Lusha është njëri nga të akuzuarit e ngjarjes, në të cilën ai shfaqet mbi një tank.
“Ishte data 12 kur u vra Azem Hajdari, që solli ngjarjet e 14-s. Natën e vrasjes së Azemit kam qenë aty. Për herë të fundit Azemi është takuar me mua. Siç kam deklaruar edhe në hetuesi, vrasësit ishin nga Tropoja, patriotët e mi, dhe Azemi vdiq në moment. Të nesërmen kemi dalë në protestë. Kishte njerëz të mërzitur e të indinjuar, sepse mori pjesë shteti, ishin të gjithë me uniforma policie”, thotë Sali Lusha.
Prokuroria e konsideron si një shpërthim të kulmuar nga ajo vrasje, por që më tej përmend edhe thirrjet e liderit të opozitës, i cili akuzoi për ngjarjen kryeministrin Fatos Nano. Ky version kundërshtohet nga Ekrem Spahia, një tjetër i akuzuar si organizator i kryengritjes dhe që me kalimin e viteve mori dëmshpërblim për burgosje të padrejtë.
“Doli lajmi që e ka vrarë pushteti, e theksoj, me uniformat e saj. Në mënyrë krejtësisht paqësore kanë dalë të protestojnë nga selia e Partisë Demokratike përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, e deri para Kryeministrisë, aty ku në mënyrë krejtësisht të papritur, nga tarraca e Kryeministrisë guajnë me snajper dhe vrasin Skënder Kalenjën. Në mbrëmje vonë vrasin edhe Adem Shehun”, deklaron Ekrem Spahia, ish-i akuzuar.
Prokuroria thotë se në datën 13 shtator, protestuesit sulmuan Ministrinë e Brendshme duke qëlluar me armë e duke plagosur efektivë policie. Në këtë datë u sulmua Kryeministria dhe u dogjën automjete. Gjatë përplasjes mbetën të plagosur dy zyrtarët më të lartë të Gardës, si dhe u vra protestuesi Skënder Kalenja.
Mit’hat Havari, ish-zyrtar policie kujton orët kur jashtë Ministrisë së Brendshme protestohej.
“Ne ishim izoluar brenda që të gjithë. Asnjë urdhër, asnjë informacion, asgjë. Kryeministri nuk ishte fare, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të asaj kohe kishte braktisur detyrën. Shumë funksionarë të tjerë të lartë tentuan të kalonin në tunel të Ministrisë së Brendshme që lidhet me atë të Mbrojtjes, por ata nuk ua hapën derën. U detyruan të shqyenin derën kryesore nga pjesa veriore e Ministrisë së Brendshme për t’u larguar. Aty ngelën një sërë titullarësh, por që të gjithë inaktivë”, tha Mit’hat Havari.
Gjatë ditës, liderët e 12 partive dolën me një deklaratë, në të cilën kërkohej dorëheqja e Fatos Nanos. Disa orë më vonë, sipas Prokurorisë, në datën 14, kryengritja arriti pikën e vlimit. Ceremonia e lamtumirës së Azem Hajdarit doli jashtë kontrollit.
“Dukej hapur që kjo ishte një vrasje nga shteti dhe një pjesë e irrituar e simpatizantëve dhe përkrahësve të Azem Hajdarit, e kanë marrë arkivolin dhe nuk u nisën në drejtim të rrugës së Kavajës për në varreza, por morën drejtimin e Bulevardit, me arsyetimin se ne duhej të kalonim para Kryeministrisë për t’i treguar opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, se vrasja ishte organizuar nga shteti”, tha më tej Spahia.
Kur kortezhi i ishte drejtuar Kryeministrisë, njëkohësisht u sulmuan dy reparte ku u morën armë e granata, e si fillim u pushtua Parlamenti. E njëjta gjë ndodhi më pas edhe me Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese dhe Ministrinë e Financave. Sërish u sulmua Kryeministria, e në këtë gjendje, ministri i Brendshëm Perikli Teta urdhëroi nxjerrjen e tankeve.
“Tanket kanë dalë nga Garda, e nga ana e Presidencës dolën sipër. Kur desh të kalonte para ish-Hotel Dajtit, aty iu hodha tankut të parë, i hipa sipër. Hoqa këmishën dhe ia hodha sipër xhamit të drejtuesit të tij që të mos mundej të ecte më tej. Në momentin që u ndalua tanku, njerëzit nxituan të hipnin sipër. Morën edhe dy tanke të tjera, ndërsa njëri iku. Kaq mbaj mend”, thotë Sali Lusha.
Shemsi Prençi ishte oficer në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ai përgjatë viteve ishte në listën e të akuzuarve, pasi u shfaq para protestuesve në TVSH.
“Nga ai akt, që kam dalë së bashku me Pjetër Arbnorin në dritare, për t’ua bërë me shenjë për t’u qetësuar, normalisht duke i përshëndetur me dy gishtat dhe me shenjën për t’u qetësuar, Prokuroria e asaj kohe e mori si provë që unë isha pjesëmarrës aktiv në rebelimin, ndërkohë që unë isha për të luajtur një rol. Edhe pse isha oficer, atë ditë isha me leje për të marrë pjesë në ceremoni”, tha Shemsi Prençi, ish-zyrtar policie.
“Shkuam te televizioni shtetëror, na pritën me armë atje grupi që komandohej nga Izet Haxhia. Mora informacion aty nga një inxhinier se nuk ishte aty stacioni që furnizonte me energji elektrike televizionin shtetëror, por ishte te Gjykata e Tiranës”, tha më tej Havari.
Për kryengritjen pati 3 dosje hetimore. Të gjitha patën të njëjtin fat: harresën!