Në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD, në selinë e Kryeministrisë, u hap sot ekspozita “Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”. Kjo ekspozitë shëtitëse erdhi për herë të parë nga muzetë e Greqisë, në Shqipëri, e do të qëndrojë e hapur nga data 14.09.2018 deri më 06.10.2018.
Ekspozita e mirënjohur, shpalos fytyrën e rindërtuar të Myrtis, vajzës që lindi rreth 2.500 vjet më parë në Athinë, gjatë një periudhe që njihet si “Shekulli i Artë i Perikliut” dhe që humbi jetën në moshën 11 vjeçare prej epidemisë së tifos që shkaktoi shumë viktima në qytetin e Athinës, gjatë Luftës së Peloponezit.
Thuajse njëzet vjet pas zbulimit të eshtrave të saj, falë përpjekjeve të një grupi shkencëtarësh grekë, sot bota ka mundësi të shohë edhe epokën kur ajo jetoi.
Duke vërejtur fytyrën e vajzës njëmbëdhjetë vjeçare, duke lexuar historinë e Myrtis, ndërsa ndjejmë hidhërim për fatin e pashmangshëm të saj në atë kohë, kuptojmë se edhe shekuj më vonë, miliona njerëz, miliona fëmijë, vazhdojnë të humbin jetën nga e njëjta sëmundje si ajo që i kushtoi jetën asaj.
Të dhënat nxjerrin në pah faktin se pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për reduktimin e vdekshmërisë te fëmijët në luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera, çdo vit mbi 6 milionë fëmijë, në të gjithë botën, humbin jetën përpara se të arrijnë moshën 5-vjeçare. Sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinimit vazhdojnë të jenë sërish shkak që 1,5 milionë njerëz të humbin jetën çdo vit nëpër botë.
Myrtis, e vlerësuar “Mike e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit”, tetë vjet më parë, në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, është “ ringjallur ” sot për t’u bërë një zë i fuqishëm në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB, veçanërisht në çështje që kanë të bëjnë me parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët.
E bindur në detyrën e saj humanitare, Myrtis dërgon nga Athina e Lashtë një mesazh, drejtuar krerëve të 150 shteteve anëtare të OKB-së, pjesëmarrës në Samitin e Kombeve te Bashkuara per Zhvillim të Qëndrueshëm, duke kërkuar që ata të bëjnë ç’është e mundur për të ndalur vdekshmërinë e fëmijëve nga sëmundje të diagnostifikueshme dhe të trajtueshme:
“Vdekja ime ishte e pashmangshme. Në shekullin e 5-të para Krishtit, nuk kishim as njohuritë, as mjetet për të luftuar sëmundjet vdekjeprurëse. Por ju, njerëzit e shekullit të 21-të, nuk keni asnjë justifikim. Dispononi të gjitha mjetet dhe burimet e nevojshme për të shpëtuar jetën e miliona njerëzve, jetët e miliona fëmijëve, të cilët, si unë, humbin jetën nga sëmundje të cilat mund të parandalohen dhe të trajtohen.”
Ky është edhe mesazhi që përcjell ekspozita “Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”, që organizohet në Tiranë nën kujdesin e Ambasadës Greke në Tiranë dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Rikthimi i Myrtis nuk është vetëm një shans që bota të shohë fytyrën e një vajze që luante në hyrje të Akropolis-it kur athinasit ndërtonin Partenonin. Rikthimi i saj është një kontribut i madh në shpëtimin e fëmijëve të tjerë, 2.500 vjet më vonë pas lindjes së saj, edhe në vende që ajo nuk i njohu dot kurrë.