Nga Flogert Muça
Për të tretën javë më radhë Lulzim Basha ka braktisur sallën e Kuvendit duke tentuar të krijojë një të tillë paralel në qytetet e ndryshme të vendit. Kjo lëvizje taktike e tij e gërshetuar me mesazhin politik “vetting për politikanët”, ka dy probleme të mëdha që e bëjnë opozitën të vazhdojë të humbasë pikë në opinionin publik dhe Bashën të duket qesharak.
Problemi i parë i Bashës në këtë fushatë të tijën është vendi ku ai krijon ngjarjen. Edhe pse ka bërë një hap para duke dalë nga zyrat e partisë për tu zhvendosur në qytete të ndryshme, prapë hapi është më pak se gjysmak. Të dalësh në fushatë dhe të strukesh në një hotel me 5 yje për të dhënë deklarata politike, nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh nga dhënia këtyre deklaratava nga selia e partisë. Të paktën për qytetarët votat e të cilëve politika kërkon, nuk përbën asnjë ndryshim, veç krijimit të idesë “Po PD nga i merr gjithë ato para për të zhvilluar konferenca në hotele me 5 yje çdo javë”? Pra, i vetmi ndryshim nëse do të quhej i tillë, janë 100 kilometra rrugë për të vajtur te qyteti ku do mbajë konferencën e radhës.
Është e pakuptueshme pse Basha vazhdon të ndjekë të tilla taktika absurde, kur është fare e thjeshtë të thuash se cila është rruga që ai dhe opozita duhet të ndjekë. Ndryshimi i vërtetë do të ishte një Lulzim Bashë që i merr fshatrat, qytezat, qytetet me radhë, në këmbë. Paradoksalisht këtë që duhet ta bënte Basha, e bën kryeministri Rama. Na duhet një Lulzim që e bredh Shqipërinë me këmbë për të parë si është situata e për tu kthyer në zyrë për të menduar për zgjidhjen e halleve që ka Shqipëria duke bërë një program serioz dhe një sjellë një alternativë serioze në zgjedhje. Këtë Lulzim Basha nuk po e bën. E thënë me fjalë të tjera, i bie që ai nuk ka hallin e qytetarëve, por të tijin, për sa kohë del në konferenca dhe kërkon një vetting që është më shumë një kërkesë për amnisti sesa një propozim ligjor i thurur siç duhet e serioz. E ky është pikërisht problemi i dytë që ka Lulzim Basha në strategjinë e tij politike.
Ai slogan këto ditë ka “vetting për politikanët”. Për fatin e tij të keq, që ditën e parë që Basha doli me këtë tezë, kundërshtari i tij politik ju përgjigj flakë për flakë duke i thënë se duhet të kalojnë në vetting jo vetëm politikanët, por të gjithë familjarët e tyre. Kjo është në fakt ajo që mbi 90% e shqiptarëve do e donin, por që Basha e ka refuzuar kategorikisht.
Refuzimi i tij nuk përbën ndonjë habi të madhe natyrisht, por, ajo që lind si pyetje kur e Basha del kundër propozimit të tij është “Pse nuk ”shpërngulet’ nga kjo temë, duke ndryshuar strategji e duke u bashkuar me qytetarët”?
Problemi mbetet reforma në drejtësi dhe pasojat e saj!
Unë mendoj se edhe kjo pyetje ka një përgjigje shumë më të thjeshtë nga ç’përpiqet ta stërhollojë politika. Lulzim Basha në të vërtetë nuk po kërkon vetting në politikë. As qytetari me IQ më të ulët në Shqipëri nuk do ta besonte që Basha është gati të vetëvritet politikisht nga dora e tij. Është një situatë qesharake kur e dëgjon të ulërasë për vetting në politikë një politikan që kudo ka qeverisur ka patur skandale nga më të tmerrshmet, duke filluar me vjedhje qindra miliona dollarëshe e duke e mbyllur me vrasje ndaj protestuesve. E ai nuk është i vetmi! Basha e ka patur gjithmonë frikë fjalën vetting, ndërsa sot po përpiqet që me frikën e tij më të madhe të shpëtojë veten politkisht!
Por, pse Basha vazhdon të lobojë për këtë tezë duke lënë qytetarët pa një alternativë opozitare?
Ka dy arsye pse Basha ndjek strategjinë e gabuar. E para është kërkesa e tij për amnisti nga drejtësia dhe organet e reja të drejtësisë që do të hetojnë politikanët dhe familjarët e tyre. Me një projekt-ligj më pak se gjysmak, Basha po kërkon nga Rama që të votojë ‘ligjin’ e tij të amnistisë në punë, para së të fillojnë organet e reja të drejtësisë punën.
Arsyeja e dytë që ka më pak gjasë të qëndrojë, është që Basha ka një ekip aq të paaftë që e këshillojnë aq keq sa ai del në çdo rast qesharak përpara opinionit publik.
Për të parën nuk ka asnjë dyshim, ndërsa e dyta ha pak debat!
*Lexo.al