Në një kohë kur kampionate të rëndësishme po mendojnë që një ndeshje të tyre ta luajnë jashtë Europës, lajmi se edhe finalja e “Champions League” mund të mbahet jashtë kontinentit të vjetër nuk mund të neglizhohet.
Në fakt një hipotezë e tillë u bë e besueshme kur para pak ditësh drejtori i “Mediapro”, Jaume Roures, i tha programit “El Matí” në “Radio Catalunya” se “zhvillimi i një finaleje të Ligës së Kampionëve në New York është duke u negociuar”.
Por të gjithë ata që u mërzitën nga ky lajm nuk duhet të shqetësohen pasi presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin ka mohuar gjithçka. Përmes një deklarate zyrtare Ceferin thotë se “kjo ide nuk është duke u diskutuar fare” dhe se për momentin “UEFA nuk ka plane për të organizuar finalen e Ligës së Kampionëve jashtë Europës”, duke hedhur poshtë spekulimet se New York do të priste finalen e edicionit të vitit 2021 të këtij kompeticioni madhor të klubeve europiane.
Gjithsesi fjalët e fundit të Ceferin janë kontroverse me ato që vetë presidenti i UEFA-s tha në një intervistë për AP në vitin 2016 kur komentoi se zhvillimi i një finaleje të Ligës së Kampioneve jashtë Europës ishte “një ide për të ardhmen”.
ma.me