Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci ka reaguar përmes një postimi në facebook, në lidhje me votimin sot në Parlamentin Europian, i cili sot votoi pro rekomandimit për heqjen e vizave.
“Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3 e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. “ shkruan Thaci në postimin e tij. Për Presidentin e Kosovës votimi i sotëm në parlamentin Europian, është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian.
“Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si President i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë.- përfundon Thaci.
ma.me