Nga Enver Robelli
Çfarë po ndodhë tani me Kosovën është pasojë e paaftësisë së shqiptarëve kosovarë, e partive politike, shoqërisë civile, mediave, shtresës së hollë intelektuale për të zgjedhur njerëz të ndershëm në poste publike, jo bixhozçi. Viktimave e heronjve që u sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës sot mbi varre u jehon vetëm ky mesazh i egër: na e bëni kabull kapitullimin!
Një shikim në retrospektivë: më 7 shtator 1998 Bashkimi Europian ashpërsoi sanksionet kundër Beogradit për shkak të veprimeve serbe në Kosovë. Të gjitha aeroportet e vendeve anëtare të BE-së mbyllën pistat për avionët e kompanisë shtetërore serbe JAT. Atëbotë njëri ndër nxitësit më të mëdhenj të dhunës kundër shqiptarëve në Kosovë ishte Aleksandar Vuçiqi. JAT-i gëzonte të drejtën ekskluzive për bartjen e azilkërkuesve (të refuzuar) kosovarë nga Gjermania në aeroportin e Prishtinës.
Çfarë cinizmi: Serbia ushtronte terror mbi shqiptarët, i detyronte të arratisen në Gjermani, pastaj, kur autoritetet gjermane ua refuzonin azilin shqiptarëve, Beogradi fitonte edhe para nga buxheti gjerman për transportimin e shqiptarëve në Kosovë. Më 7 shtator 1998 në pushtet në Gjermani ishte Helmut Kohli. Pak ditë më vonë ai humbi zgjedhjet, mandej në pushtet erdhi e majta liberale, e cila u bë pjesë e koalicionit të madh perëndimor për çlirimin e Kosovës. Në Kumanovë Serbia nënshkroi kapitullimin dhe tërhoqi forcat e dukshme represive nga Kosova. Pas administrimit gati 10-vjeçar nga OKB Kosova shpalli pavarësinë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë faktikisht e legalizoi pavarësinë e Kosovës. Njohjet e Kosovës nga shtetet e tjera u ngadalësuan, por nuk u ndërprenë.
Çfarë bëri Kosova? Në vend se të vendoste kushte për të negociuar me Serbinë – së pari njohja e pavarësisë, pastaj flasim për detaje – Kosova, e udhëhequr nga politikanë pa kredibilitet publik si puna e Hashim Thaçit, hyri në negociata me Serbinë. U tha se negociatat po i ndërmjetësonte Bashkimi Europian. Nuk kishte as cak, as synim, as ide se cili do të ishte epilogu i këtyre negociatave, cila do të ishte finalja? Më 2013 u arrit një marrëveshje që Serbia t’i kthej kopjet e librave të kadastrës dhe kjo u quajt «marrëveshje historike». Vjedhësi, plaçkitësi po i kthente kopjet dhe kjo quhej e arritur historike. U tha se është e arritur historike nëse si shtetas i Kosovës nuk guxon të tregosh pasaportën e Kosovës për të kaluar nëpër Serbi, por duhet t’i nënshtrohesh një procedure poshtëruese të regjistrimit me letërnjoftim. U tha se është e arritur historike nëse në kufi heq targat e Republikës së Kosovës dhe vë një letër me shkronjat «Proba». U tha dhe u llomotit shumëçka, edhe nga diplomatët europianë. Por, marrëveshje historike ajo e vitit 2013 nuk ishte.
Më së voni në vitin 2013 është dashur të ndizeshin dritat e alarmit. Nuk u ndezën. Sepse një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare qëmoti është fundosur në amulli. Nuk i bëhet vonë për asgjë. Ka qenë e ditur se Thaçi – edhe nëse ka motive të mira – është i hendikepuar në përfaqësimin e Kosovës: Si mund të negociojë në emër të Kosovës një person që është i rrethuar me hetues ndërkombëtarë, të cilët duan ta akuzojnë për të bërat apo pabërat gjatë luftës? Çfarë po ndodhë tani me Kosovën është pasojë e paaftësisë së shqiptarëve kosovarë, e partive politike, shoqërisë civile, mediave, shtresës së hollë intelektuale për të zgjedhur njerëz të ndershëm në poste publike, jo bixhozçi.
Kompromisi me atë që nuk duhet bërë kompromis i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë edhe më shumë Kosovës, madje me rrezik të zhbërjes së shtetësisë. Zgjedhja e Thaçit president me votat vendimtare të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbetet ndër njollat më të mëdha në historinë e re të Kosovës. Këtë njollë LDK nuk arrin ta heq dot as sot. Ka qejf të jetë në pushtet, por disi nuk ia mban të luftojë pa kompromis me të keqen; ka qejf ta akuzojë Thaçin, por disi ngurron për shkak të pazareve me të; ka qejf të kërcënohet se do ta «çojë Thaçin» në Gjykatën Kushtetuese, ku Thaçi tashmë i ka renditur partizanet dhe oficerët e tij juridikë; shumëçka ka qejf LDK, por prapë i frikësohet kundërshtimit frontal, sepse, shih ti, Thaçi mund ta eskalojë situatën dhe ta akuzojë LDK-në për këtë.
Nuk është vetëm LDK pjesë e këtij kompromisi me të keqen. Janë plot e përplot snobë të Prishtinës, që prej luftëtarëve të mëdhenj (dhe të rrejshëm!) për një Kosovë multietnike, janë shndërruar në gjeodezist (të rrejshëm!) për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Janë plot e përplot kuaj të Trojës që janë futur në gazetari për të kryer krime me porosi e pagesa të partive politike. Është bërë krejt e zakonshme që në postet me të rëndësishme të shtetit të zgjidhen njerëz me dosje të krimit dhe me dosje të trasha të bashkëpunimit me shërbimet sekrete jugosllave dhe serbe. Është bërë e zakonshme që të burgosurit ose të përndjekurit politikë të viteve ’70 dhe ’80 të qëndrojnë në pushtet bashkë me bashkëpunëtorët e sistemit represiv jugosllav.
Kur të gjitha këto bëhen të zakonshme, atëherë përse të befasohemi që Aleksandar Vuçiqit njëherë i ndalohet vizita te Liqeni i Gazivodës, pastaj i lejohet? Pas operetës së djeshme në Bruksel, sot spektakli kriminal i nipit politik të Vojisllav Sheshelit vazhdon në Gazivodë, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë, Leposaviq: «Idem na Kosovo, prvo na Gazivode». A do ta arrestojnë si Marko Gjuriqin? Duket se jo. Sepse loja – loja me nerva – po vazhdon. Si me Gjuriqin. Si me trenin. Si me shoun e Brukselit me atë gruan injorante nga Italia apo me ndonjë komisar pazarllëqesh nga Vjena.
Viktimave e heronjve që u sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës sot mbi varre u jehon vetëm ky mesazh i egër: na e bëni kabull kapitullimin! Sepse sot, për dallim nga viti 1998, jemi popull duke pritur që të tjerët t’ia begenisin kapitullimin!/ dialogplus
a.ç