Pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama mesa duket ka bërë publik dhe sloganin e zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen vitin e ardhshëm.
Në faqen zyrtare të Kryeministrit në Facebook, është publikuar mesazhi dhe logo që do të shërbejë për fushatën që paraprin zgjedhjet e qershorit, “E gjithë vëmendja tek ty”.
Sot, Rama deklaroi se PS duhet të nisë fushatën që tani, për t’i paraprirë fitores në vitin 2019, shkruan JavaNews.al
“Ne duhet të fillojmë zgjedhjet vendore sot, menjëherë, të mos presim fushatën. Jo për të fituar zgjedhjet. Nuk është problemi jonë të fitojmë zgjedhjet.
Ndeshjen pa kundërshtarë e fiton kushdo.
Problemi ynë është të fitojmë zgjedhjet, duke kaluar përmes njerëzve, duke fituar zemrat e tyre, duke kuruar plagët e tyre të dëshpërimit, të zhgënjimit, të mosbesimit, të gjithfarë lloj ndjenjash negative të krijuara nga 1001 arsye ku ne duhet të marrim pjesën tonë, duhet të marrim përgjegjësinë tonë, duhet të marrim fajin tonë.
Prandaj ne duhet të fillojmë fushatën sot” – tha Rama të premten, pak orë para postimit të fotos së mëposhtme.