Procesi i vetingut rifillon me seancën dëgjimore të prokurorit të Apelit të Durrësit, Bujar Hoti, i cili kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rifillon të enjten procesin e rivlerësimit me seancën dëgjimore të prokurorit të Apelit të Durrësit, Bujar Hoti. Ai është pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas njoftimit të KPK-së, seanca dëgjimore do të drejtohet nga komisioneri Lulzim Hamitaj dhe anëtarët Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.
Prokurori Bujar Hoti ka një karrierë të gjatë si prokuror dhe përgjatë një dekade ai ka drejtuar Prokurorinë e Apelit në Durrës. Në vitin 2013, ai u shkarkua nga detyra si drejtues dhe e kundërshtoi vendimin në gjykatë. Megjithatë, prej vitit 2013 ai ushtron detyrën si prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Bujar Hoti nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Bujar Hoti zotëronte një pasuri familjare me vlerë 810 mijë lekë në vitin 2003, e cila përbëhej nga një apartament i përfituar përmes privatizimit, një sipërfaqe toke bujqësore e falur nga prindërit dhe një makinë “Mitsubishi”.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Hoti është rritur me 31 herë, duke kapur vlerën e 24.8 milionë lekëve.
Investimet kryesore të familjes Hoti janë përqendruar në tregun e pasurive të paluajtshme. Referuar deklaratave të tij periodike, ai zotëron familjarisht 3 apartamente banimi me një vlerë totale që përllogaritet në 23.8 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu automjete në vlerën e 930 mijë lekëve dhe një armë gjahu të blerë për 80 mijë lekë.
Të ardhurat kryesore në familjen Hoti rrjedhin nga aktiviteti i bashkëshortes si notere në masën 69 për qind. Gjatë periudhës deklaruese 2003-2017, të ardhurat familjare kapin vlerën e 71.4 milionë lekëve, ku paga e prokurorit Hoti nga funksioni zë vetëm 31 për qind të totalit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative.
BIRN identifikon megjithatë disa “flamuj të kuq” në analizën e pasurisë së prokurorit Bujar Hoti, të cilat lidhen me normën e lartë të kredive bankare të marra nga ai dhe bashkëshortja e tij si dhe transaksionet e kryera me automjetet.
Më konkretisht, familja Hoti ka përdorur sistemin e kredive bankare për të financuar blerjen e pasurive të paluajtshme. Gjatë periudhës deklaruese, subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshortja e tij kanë marrë në total 40.5 milionë lekë kredi.
BIRN gjeti gjithashtu se një makinë e shitur në vitin 2007 nuk rezulton në deklarimet e mëparshme të pasurisë, ndërsa blerja me leasing e një makine në vitin 2012 nga bashkëshortja e zotit Hoti nuk pasohet nga deklarimi i pagesës së kësteve deri në kohën e shitjes së kësaj makine.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017