Nga Lorenc Vangjeli
Kryeministri maqedon e konsideron fakt të kryer. Zoran Zaev pretendon se ka marë premtimin e homologut shqiptar Edi Rama për t’i afruar vendit të tij një port në Durrës. Me gjithë të drejtën e zotit dhe të logjikës, në Maqedoni një gjë të tillë e shohin me frymëmarje lumturie. Një port për Maqedoninë, një vend pa dalje në det, që në Shkup, në lumin që ndan kryeqytetin në dy pjesë, rrinë si dekor absurd e megaloman dy anije me vela, që nuk kanë lundruar kurrë, “pronësia” në një port shqiptar, është një lajm i shkëlqyer. Një lajm i bujshëm politik dhe një mundësi e jashtëzakonshme ekonomike e dyanshme. Një kontribut mjaft i mirë i Shqipërisë, në këtë rast, edhe për politikën rajonale, edhe për zhvillimin ekonomik.
Për të kuptuar vlerën e diçkaje, duket gjykuar jo prania, por mungesa e saj. Në Shkup, me shumë gjasa e dinë më mirë se në Tiranë se çfarë do të thotë det dhe port në det. Sepse nuk e kanë.
Pothuaj 20 vjet më parë, ish-kryeministri Majko, pak javë nga përfundimi i luftës së Kosovës, do të thoshte një frazë të famshme në fjalimin që njoftonte “rilindjen e idesë për ndërtimin e rrugës së Kombit”: “Le t’i japim Kosovës një dalje në det”!
Ideja e atëhershme ishte që porti i Shëngjinit do t’i shërbente Kosovës, nga pikpamja politike, si një port ku do të përpunoheshin mallra dhe nga pikpamja politike, si një kërthizë e re në Shqipërinë e re të Mesme. Brenda kufinjve evropiane të atëhershëm, kur Shqipëria dukej më pranë se kurrë me Brukselin, por sidomos me Uashingtonin, patriotizmi ishte portret jo vetëm i gjuhës së njëjtë, historisë së përbashkët apo kontinuitetit territorial, por edhe më shumë se kaq. Patriotizmi ishte siguri dhe biznes. Biznesi afronte më shumë siguri dhe siguria ishte bisnesi më i mirë për të ardhmen.
20 vjet më pas, një ide e tillë është përmendur vazhdimisht – zoti Berisha e thoshte shpesh – por natyrisht siç ndodh në Shqipëri, deti ka shërbyer vetëm për të treguar distancën mes fjalëve dhe premtimeve nga njëra anë dhe veprave dhe punës nga ana tjetër.
Për të mos shkuar më larg, serbët në Ballkan kanë bërë luftra për të dalë në det. Armiqësa e tyre me shqiptarët, por dhe me kroatë, sllovenë e malazezë kushtëzohet edhe për shkak të mungesës së detit. Serbët e dinë mjaft mirë se çdo të thotë det. Sepse nuk e kanë detin.
Në Shqipëri, fatkeqësisht është ndryshe. Nuk e dinë se çdo të thotë det pikërisht sepse e kanë. Dhe këtë dhuratë të perëndisë e kanë trajtuar me një mendjelehtësi kriminale.
Po të shihet se çfarë është bërë me detin në këto tre dekada pluralizëm, kuptohet qartë se në Shqipëri është jetuar për sot me nesër dhe vendi është qeverisur me vizionin miop që nuk sheh dot përtej të nesërmes kalendarike. Janë tenderuar e ndërtuar rrugë pafund, por është hedhur vetëm ndonjë qindarkë e vobektë si kusur nëpër porte.
Eshtë shpenzuar gjithçka për makina, por pakkush mendon të përdorë varka apo skafe. Çfarë është blerë deri tani ka ndodhur vetëm për vanitetin e të pasurve të rinj që kërkojnë luksin e pushimeve verore dhe për nevojën e banditëve të vjetër, të cilët kanë kaluar nga trafiku i qenieve njerëzore tek ai i drogave.
Tre apo katër herë në këto 30 vjet ka pasur ndalim të plotë të lundrimit në det për shkak të pafuqisë së shtetit për të ndaluar trafiqet detare duke e kthyer pjesën shqiptare të Adriatikut dhe Jonit në një shkretëtirë të trishtuar. Dhe kjo gjë është dukur normale. Madje edhe e duartrokitur nga publiku i lodhur nga krimi.
Shqipëria vazhdon të jetë i vemi vend në botë, me gjasë vetëm Koreja e Veriut e shoqëron, që nuk ka asnjë anije tregtare me flamur shqiptar. Shqiptarët, pronarë anijesh numërohen me gishtat e një dore; ndër këta “aventurierë” që shpëtojnë nderin e vendit, vetëm dy-tre dinë çdo të thotë det.
Pse ndodh kështu? Arsyet janë pafund. Por ato nisin dhe me faktin dramatik që kush ka pasur fatet e Shqipërisë në dorë ose nuk e ka kuptuar se vendi zhvillohet vetëm duke pasur sytë nga deti, ose nuk e ka ditur se deti është zhvillim, ose thjesht fare, nuk ka ditur not.
Ndaj në Tiranë e kuptojnë me vështirësi ngazëllimin maqedonas për portin e premtuar. Sepse në Tiranën politike deti vazhdon të duket vetëm si destinacioni i dikurshëm i trenit të të dielava; vendi ku shkohej për të parë si dukeshin me rroba banjo vajzat sexy nga Tirana që gjithashtu shkonin në Durrës me tren. /JavaNews.al