Shqipëria shndërrohet në vendin e parë të rajonit, që ofron librat falas për të gjithë nxënësit e ciklit të ulët.
Në total, bëhet fjalë për 190 mijë nxënës që përfitojnë nga ky vendim i qeverisë dhe përfitues do të jenë 100% e fëmijëve, jo vetëm ata që vijnë nga familjet e varfëra apo shtresa të tjera të lehtësuara nga qeveria.
Në asnjë prej vendeve të tjera të rajonit, nuk ekziston një politikë e tillë, as në Kroacinë që është vend anëtar i Bashkimit Europian dhe më tej, as në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në Serbi, nga 700 mijë nxënës në të gjithë ciklin parauniveritar, përfitojnë sot falas vetëm 86 mijë prej tyre, fëmijë të familjeve në nevojë, invalidëve të luftës apo familjet me më shumë se tre fëmijë.
Lehtësime të ngjashme ka edhe në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni, por vetëm për këto shtresa në nevojë.
Duke marrë shkas nga vendimi i qeverisë shqiptare, e përditshmja serbe, “Srbija Danas” (Serbia Sot), publikoi sot një artikull ku vë në pikëpyetje politikën e qeverisë në lidhje me arsimin.
Ashtu si në Shqipëri, ku janë përshtatur tekste të “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”, edhe në Serbi ekziston një program i tillë, për përshtatjen e teksteve të certifikuara gjermane, të prodhuara nga “Klett Publishing House”.
Problemi është se librat e rinj kanë një kosto të shtuar, me paketën minimale prej 10 mijë dinarësh për fëmijë, ose 80 euro minimumi, një shifër e lartë, që bëhet deri e papërballueshme për shumë familje, në një vend me një rrogë mesatare vetëm 15 euro më të lartë se tonën.
Artikulli i “Srbija Danas”, pa hyrë në krahasime konkrete, duket se fajëson qeverinë për mungesën e një politike afatgjatë, për të shoqëruar rritjen e çmimeve të librave me subvension të plotë për të gjithë, ashtu siç është duke bërë vendi ynë.
/b.d