Një prej shkollave ikonë të Tiranës, “Ismail Qemali”, do t’i kthehet shkëlqimi i dikurshëm. Bashkia e Tiranës po i jep dorën e fundit punimeve për rikonstruksionin e plotë të klasave, palestrës dhe ambienteve sportive të jashtme, ndërsa ka instaluar edhe sistemin e ngrohjes qendrore. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se pas rikonstruksionit nxënësit do ta gjejnë shkollën e tyre më të bukur dhe me kushte shumë herë më të mira.
“Jam shumë i lumtur me progresin që kemi bërë për rikonstruksionin e shkollës ‘Ismail Qemali’. Shkolla mban emrin e një prej personazheve më të rëndësishëm të historisë shqiptare, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo e jona është një përpjekje modeste për të shpallur pavarësinë nga i ftohti, lagështia, rrëmuja, zhurma, nga një shkollë e rrënuar. Por, këtë lloj pavarësie të kohëve moderne mund ta bëjmë me punë, jo me fjalë. Ndaj, i gjithë gushti ka qenë një muaj sulmi, po ashtu edhe fillimshtatori do të jetë një muaj sulmi, për t’u siguruar që kapim datën e fillimit të shkollës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se me hapjen dhe shtimin e kapaciteteve në disa shkolla të tjera, edhe në këtë shkollë është ulur numri i nxënësve nëpër klasa. “Pra, nga një shkollë me 40-50 nxënës në klasë, bëhet një shkollë me 32 nxënës në klasë. Kjo do të thotë se ka më pak nxënës për të njëjtin mësues, rrjedhimisht më shumë vëmendje për secilin nxënës dhe një shans më të madh që secili nxënës të dalë akoma edhe më mirë në mësime. Por, ky lajm i mirë ka gjasa të tundohet nga një presion konstant që vjen nga prindërit. Këshilla ime për prindërit është kjo: nëse jeni banorë të zonës, të Njësisë 2 që iu prek ky pellgu i “Ismail Qemalit”, atëherë kjo është shkolla juaj. Nëse jeni më afër me “Abdulla Ketën” në Shkozë, nëse jeni më afër me “Sandër Prosin” në Sauk, atëherë mënyra më e mirë është për të regjistruar fëmijët atje. Duke i regjistruar nxënësit atje, do të thotë që do kalojnë më pak kohë në rrugë vajtje-ardhje, më pak vara-vingo dhe më shumë kohë me librat”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, ai shtoi se nuk ka asnjë arsye që prindërit dhe nxënësit të kërkojnë të regjistrohen vetëm në ato shkolla që në të shkuarën kanë patur më shumë reputacion se të tjerat, pasi sot të gjitha shkollat ofrojnë standarde mësimdhënie dhe kushte shumë të mira. “Sot portali i mësuesve po çon mësuesit më të mirë në vendet e reja që hapen. Do të thotë që mësuesit janë po aq të shkëlqyer në të gjitha shkollat. E kuptoj që disa njerëz vazhdojnë me nostalgjinë dhe reputacionin e dikurshëm, por nuk jemi në vitet ’70-’80. Shkollat që ishin të mira në atë kohë, në kohën e gjyshërve apo prindërve tanë, nuk janë detyrimisht më të mirat sot. Ndaj, këshilla ime është kjo: mos u ushqeni nga mania për t’i futur fëmijët në një klasë me 50-60 të tjerë, ndërkohë që shkolla sot kalon me 32 nxënës; ama shkollat e tjera që kanë ende vende bosh mund të akomodojnë ata që janë banorë respektivisht të Shkozës apo të Saukut”, shtoi kreu i bashkisë.
Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt nis ndërtimi i 17 shkollave të reja në kryeqytet, çka jo vetëm do të ulë numrin e nxënësve në klasa, por edhe do t’i japë fund mësimit me dy turne. “Do të fillojmë me 17 shkollat e reja. Një pjesë e tyre janë gjimnaze, të cilat do ta ulin ndjeshëm trysninë, kështu që viti tjetër edhe për gjimnazet e Tiranës do të jetë fundi i gjimnazeve me dy turne”, theksoi ai.
Deputetja e PS, Vasilika Hysi vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e një prej shkollave më me emër të kryeqytetit, e cila do të jetë brenda të gjitha standardeve dhe parametrave ndërkombëtare. “Ndjehemi shumë mirë që një shkollë me shumë emër në historinë e qytetit të Tiranës dhe banorëve të saj, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë me standarde dhe parametra ndërkombëtare. Uroj dhe shpresoj që ky rikonstruksion të japë rezultatet e tij sepse kjo është edhe një shkollë komunitare”, deklaroi Vasilika Hysi./a.ç