Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me mësuesit para nisjes së vitit të ri shkollor. Shefi i qeverisë tha se këtë vit janë plot 700 mësues që do të merren vetëm me nxënësit me aftësi të kufizuara. Ai theksoi se ky numër do të rritet edhe më tej në vitet në vijim.
“Këtë vit do jenë 700 mësues që do merren me nxënësit me aftësi të kufizuara. Por pse 700 dhe jo 3700? Sepse këtë vit kaq janë mundësitë”, tha Rama.
Ai u ndal edhe tek ndarja e librave falas për nxënësit e fillores. Rama tha se objektiv është që brenda mandatit librat të jenë falas deri në klasën e nëntë.
“Dikush mund të thotë se librat falas mund të jenë për të gjithë. Sistemet janë lloj-lloj. Në rajon janë tre vende që nuk japin vende falas për asnjë klasë, Serbi, Mal i Zi dhe Kroaci. Italia që është në kategorinë e parë të vendeve të zhvilluara jep libra falas për fëmijët deri në kalsën e pestë. Deri dje s’kishim mundësi, sot po e bëjmë. Jo për libra dosido”, deklaroi Rama më tej.
Më tej Rama theksoi se tashmë është bërë edhe “pastrimit” i sistemit nga librat siç i quajti ai skandalozë. Kryeministri tha se sot nxënësit kanë libra cilësisht më të mirë dhe të pranuar nga mësuesit.
“Jeni dëshmitarë të një fakti tjetër. Deri dje ishte stres jo vetëm nga pikëpamja financiare, marrja e librave ishte mall nga gabi i korrupsionit. 1300 e kusur tekste nga të cilat 600 janë refuzuar nga mësuesit. Skarco, deformime. Sot mbyllim ciklin e nisur për zëvendësimin e librave skarco, me libra të Oksfordit, Kembrixhit, Pirsonit. Disa thonë se janë shtrenjtuar. Po! Sepse janë libra më cilësorë. Ajo që duam të bëjmë brenda mandatit ëhstë t’i bëjmë falas deri në klasë të nëntë. Më vjen shumë mirë të them që janë 10 mijë nxënës këtë vit që hyjnë në mjedise tërësisht të rindërtuara”, tha Rama./a.m.