Tirana ishte vendi organizator i simultanes ndërkombëtare të Shahut për vendet frankofone. Eventi ishte në edicionin e 6 të tij dhe në të morën pjesë 150 lojtarë nga dhjetëra vende të botës.
Shqipëria u përfaqësua nga 68 shahistë, ndërkohë që edhe Kosova kishte 9 shahistë në këtë eveniment, si vend i ftuar.
Simultania ndërkombëtare e Shahut ishte një turne i hapur, i zhvilluar me 9 raunde, sipas një sistemi zviceran, me sportistët që garonin në një grup të vetëm. Në përfundim të këtij takimi u bë edhe përcaktimi i fituesve, ndërkohë që shpërblimi financiar që u shpërnda për klasifikimin e pëgjithshëm ishte 10.500 euro.
Pas 9 raundeve, Shqipëria e bëri prezantimin më të mirë me Dritan Mehmetin dhe Franc Ashikun, që u renditën në vendin e katërt dhe të pestë, duke siguruar edhe përfitim financiar për këto pozicione prej 700 dhe 500 eurosh respektivisht.
Ndërsa Kosova kishte si rezultatin më të mirë vendin e 14 të Nderim Saraçit.
Për sa u përket fituesve, klasifikimi i përgjithshëm pa në krye shahistin grek, Mastrovasilis, që përfitoi edhe shpërblimin prej 1.500 eurosh që i takonte fituesit.
Vendi i dytë ishte për një tjetër shahist grek, Janis Nikolaidis, që përfitoi 1.200 euro, ndërsa në vendin e tretë u rendit egjiptiani, Adham Fauzi, që siguroi 1.000 euro.
Shpërblim financiar u dha edhe për fituesit e kategorive të ndryshme; femra, të rritur mbi 50 vjeç, veteranë, të rinj U16, U14, si dhe për vendin e parë për shahistët shqiptarë.
/b.d