“Jam shumë krenare dhe largohem me zemrën plot”. Romana Vlahutit deklaroi në një intervistë për Top Channel në përfundim të mandatit të saj si ambasadore e BE-së në Tiranë, se misioni i reformës në drejtësi u krye. Ajo flet për katër vitet e qëndrimit këtu, sulmet e opozitës, kanabisin, ndërsa thotë se në Bruksel do të punojë sërish në lidhje me Shqipërinë. Më poshtë intervista e plotë ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin.
Absolutisht. Po largohem me zemrën plot, sepse mendoj që kemi bërë një punë mjaft të rëndësishme për Shqipërinë. Reforma në drejtësi ishte nëna e të gjitha reformave, beteja kryesore mbi të gjitha betejat dhe vetëm fakti se shumë shpejt të gjitha institucionet kryesore të sistemit të ri do të mund të krijohen, pasi mendoj që lista e vetting-ut parësor thuajse është shteruar – mendoj kanë mbetur edhe pak raste për të përfunduar – më bën të largohem, siç e thashë, me zemrën plot dhe mjaft krenare për atë çka arritëm të bënim.
E kishit imagjinuar ngërçin që është krijuar së fundmi me sistemin e drejtësisë në Shqipëri ku jemi dy prej gjykatave kryesore që janë praktikisht jashtë funksionimit, ndërkohë që përsa i përket reformës, vetëm organet e vettingut po funksionojnë aktualisht.
Kjo reformë duhet të krijojë në një lloj mënyre një sistem nga zeroja dhe mendoj se do të ishte e pamundur të pritet që diçka e cila është shkatërruar për dekada të mund të rikrijohet brenda një viti. Po ta shohësh objektivisht atë çka është bërë, kjo ishte në thelb një reformë kushtetuese. Është ndryshuar një e treta e Kushtetutës shqiptare dhe me shumë vullnet politik që ishte i dyshimtë përgjatë procesit dhe shumë luftë për reformën. Kur vjen fjala për kohën, mendoj se reforma po ecën shumë mirë. Sapo lexova disa ditë më parë të gjithë emrat e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe jam absolutisht jo vetëm shpresëplotë, por, nëse ka vullnet, vullnet politik, të gjitha institucionet mund të jenë plotësisht funksionale deri në fund të vitit, përfshi të rinjtë, mjaft të rëndësishëm për shqiptarët dhe kjo është Prokuroria e Posaçme, SPAK-u, si dhe BKH-ja.
Mund te marrim si shembull Këshillin e Lartë të Gjyqësorit ku duket se përsëriten apelet që gjyqtarët të bëhen pjesë e këtij institucioni. Pre mendoni se ka një lloj hezitimi për t’u bërë pjesë e drejtësisë së re?
Ju thoni se ka hezitim, por ka kandidatë dhe shpallja është ende e hapur, ndaj nuk mund të gjykojmë përpara afatit. Sigurisht, para së gjithash, ky është një funksion i rëndësishëm, ndaj mendoj që njerëzit që e marrin përsipër duhet të kuptojnë çfarë po marrin përsipër, ç’lloj përgjegjësie do të duan të kenë. Po kështu, sigurisht që të gjithë ata që janë pjesë e gjyqësorit duhet të kalojnë sistemin e rivlerësimit. Është përherë sfidë të nisësh diçka nga fillimi, por është shumë e nevojshme, ndaj u jam gjithashtu mirënjohëse të gjithëve atyre që janë të gatshëm të marrin përsipër përmbushjen e këtyre funksioneve dhe të ndihmojnë realisht për krijimin e sistemit të mirëfilltë gjyqësor në Shqipëri dhe mendoj që ata mund të jenë vetëm krenarë për veten.
Pavarësisht debateve politike të muajve të fundit, ka të paktën një temë, një tjetër reformë e rëndësishme, që është reforma zgjedhore, ku të paktën partitë duket se po dialogojnë. A mendoni se do të kemi një produkt në vjeshtë apo mendoni se ky acarimi i klimës politike që është paralajmëruar mund ta vendosë në rrezik këtë reformë?
Do të jem shumë e ndershme me ju. Kam zhvilluar disa takime me dy bashkëkryetarët që e drejtojnë këtë komision dhe jemi habitur të gjithë shumë për mirë nga kolegjialiteti dhe mënyra sesi po punonin së bashku. Detyrat janë të qarta dhe kanë qenë të qarta prej shumë e shumë vitesh. Rekomandimet e ODIHR-it nuk janë rekomandime të reja, janë të vjetra. Mendoj që të gjithë politikanët e përgjegjshëm që duan vërtet që vendi të përparojë do të ulen në tryezë e do të gjejnë zgjidhjet që janë më të mira jo për veten e tyre, por për vendin. Ndaj, ajo çfarë kam parë, ajo çfarë kemi dëshmuar sa i takon angazhimit të përfaqësuesve të të dyja partive që janë në këtë komision dukej si një diskutim mjaft i shtruar dhe shpresoj që do të japë rezultate. Është shumë e nevojshme. Ka zgjedhje vendore verën e ardhshme dhe, më pas, zgjedhjet parlamentare pas dy vitesh dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që, më në fund, disa nga rekomandimet kryesore të ODIHR-it dhe realiteti i zgjedhjeve siç i njeh vendi të ndryshojë.
Mund të themi me siguri se partitë politike dhe ambasadorët jo gjithmonë kanë qenë në dashuri me njëri-tjetrin por ndoshta ju jeni ambasadorja më e sulmuar, më e kritikuar, nga opozita kryesisht. A keni krijuar pas këtyre viteve një ide pse vinin këto sulme?
Mendoj që hapëm dosjen më kritike, hapëm gjyqësorin dhe, ndershmërisht, ishte absolutisht e parashikueshme që grupet e interesit do t’i viheshin pas kësaj reforme, kështu që nuk është asgjë personale. Është një zhurmë logjike do të thoja, që u bë nga njerëz, të cilët nuk janë të lumtur nga reforma dhe donin t’i mbanin gjërat siç ishin. Për mua, personalisht, ishte në kuptimin e plotë vetëm zhurmë dhe ajo çfarë mendoj që është më e rëndësishme, apo e vetmja gjë e rëndësishme, janë rezultatet.
Çështja e kanabisit ju përmendet shpesh. Përtej raporteve të Brukselit apo institucioneve të tjera. Ka nga ata që mendojnë se ju personalisht mund të kishit bërë diçka më shumë. Ju akuzojnë se heshtët, mbyllët sytë dhe bëtë sikur nuk e patë realitetin. A mendoni se mund të kishit bërë diçka tjetër, ndryshe, po të ktheheshit pas?
Gjatë këtyre ditëve po mblidhja të gjitha shënimet e mia nëpër kuti, duke qenë se po zhvendosem dhe është faktikisht një nga çështjet ku mendoj se, së bashku me kolegët e mi nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, por edhe me kolegët amerikanë kemi bërë shumë punë dhe mendoj se rezultatet po ashtu mund të shihen. Ju jeni gazetar dhe e dini që ajo çfarë ndonjëherë është në hapësirën publike dhe realiteti jo domosdoshmërisht përkojnë, kështu që kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe për gjithçka që kemi bërë, kemi bërë më shumë sesa ajo që mendoja në fillim se do të ishte e mundur të bëhej, duke pasur parasysh problemin. Jam po ashtu mjaft krenare për punën, vëmendjen, fokusin, shtysën dhe të gjitha llojeve të energjive që u angazhuan për trajtimin e kësaj çështjeje. Shqipëria nuk erdhi në këtë fazë pa arsye. Shqipëria arriti në këtë fazë, për shkak të rezultateve të disa çështjeve kyçe, që janë me rëndësi për Bashkimin Evropian. Njëra prej tyre ishte gjyqësori dhe e dyta lufta kundër krimit të organizuar dhe mendoj se ka shumë vlerësim se vendi është në rrugën e duhur, por ka ende një punë të jashtëzakonshme për t’u bërë. Megjithatë kam ruajtur me zell të gjithë korrespondencën dhe shënimet e mia nga të gjitha takimet dhe, tani që po i shihja, kuptova se çfarë kemi bërë.
Në korrik ju surprizuat, gati, opinionin publik duke pritur në një takim një grup të protestuesve, aktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, përsa i përket çështjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Keni deklaruar gjithashtu se keni kërkuar ekspertizë ligjore nga Brukseli në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që ne dimë se edhe Komisioni i ka drejtuar disa pyetje Qeverisë shqiptare. A keni krijuar një ide se si qëndrojnë gjërat?
Për momentin, shërbimet tona janë ende duke shqyrtuar disa detaje lidhur me këtë ligj. Kam folur me kolegët e mi në Bruksel dhe shpresoj që shumë shpejt shërbimet do të vijnë me përgjigje mjaft precize, pasi kishte disa çështje dhe ata donin të bënin disa pyetje shtesë. Fakti që ishte verë dhe pushim nuk ndihmoi, pasi shumë njerëz nuk ishin në punë, por siç e thashë, kam kontaktuar dhe ata do të dalin me një reagim. Kjo është një çështje që ka të bëjë me konkurrencën, me çështjet e prokurimit dhe mendoj që është më mirë për të gjithë të tregojnë pak durim e të presin Komisionin Evropian dhe drejtoritë e përgjithshme përkatëse që të japin vlerësimin e tyre për këtë ligj. Një gjë për të cilën jam vërtet e lumtur është se, kur Shqipëria të çelë negociatat, këto situata nuk do të mund të ndodhin, pasi të gjitha ligjet që do të duhet të miratohen në Parlament, duhet të kalojnë më së pari nga Brukseli për t’u shqyrtuar nëse janë në përputhje me Aquis dhe me të gjitha standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Vetëm pas kësaj do të mund të vijohet me procedurën në parlament. Pra, në një farë mënyre, do të ketë një analizë parandaluese,përpara sesa të krijohen situata të tilla.
Jeni dakord me Presidentin e Republikës sipas të cilit ligji në fjalë, të cilin Presidenti edhe e ktheu, shkel marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe të drejta të rëndësishme të njeriut, siç është e drejta e pronës?
Unë nuk kam mendimin tim personal kam mendimin e institucionit dhe sapo ju thashë që duhet të kemi pak më tepër durim, në pritje që institucionet të dalin me vlerësimin e tyre për të gjitha hollësitë e këtij ligji.
Mund të na thoni çfarë është diçka që nuk ju pëlqen nga mazhoranca apo nga Qeveria të cilës do t’i kërkonit apo t’i këshillonit që të bënte ndryshe?
Unë jam diplomate dhe, si diplomate, do t’ju them cili është mendimi im që rrjedh prej punës sime. Mendoj që për një proces si procesi i integrimit evropian, në mënyrë që një vend të jetë në gjendje të ecë vërtet përpara, duhet të ketë konsensus kombëtar për disa gjëra bazë, por jo konsensus kombëtar me fjalë, por konsensus me vepra. Të gjithë duhet vërtet të bëhen bashkë, si pakica ashtu edhe shumica. Nuk ka rëndësi kush është në opozitë dhe në qeveri, sepse shumë më e rëndësishme është që partitë të kenë individualisht atë që është interesi i këtij vendi. Për mua kjo është afërmendsh. Asnjë vend tjetër nuk ka arritur të përparojë realisht në rrugëtimin evropian në një klimë të ngjashme me atë në Shqipëri. Ato duhet të gjejnë vërtet një mënyrë për ta dashur vendin më shumë, sesa të përfshihen në një klimë shumë të vështirë politike, që, kam arritur të mësoj, se nuk është gjithmonë realiteti i vërtetë. Pra, mendoj qe ajo që dëgjohet, që thuhet dhe kjo zhurma që përmenda nuk pasqyron gjithnjë atë që ndodh dhe mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë vërtet që të ketë bashkim rreth disa interesave kryesore kombëtare dhe duhet të lëvizni. Ky është një vend i mrekullueshëm. Ky vend mund të shkëlqejë me shumë shpejtësi. Mendoj do të ishte një gabim i tmerrshëm i partive politike e, do të thoja, i të gjithë spektrit politik, nëse nuk tregojnë më shumë vullnet të mirë për të folur me njëri-tjetrin e për të gjetur zgjedhjen më të mirë për vendin.
Të njëjtën pyetje kam edhe përsa i përket opozitës. Përtej dialogut, çfarë do t’i këshillonit opozitës të bënte ndryshe?
Mund t’ju përsëris vetëm të njëjtën gjë. Në jetë duhet të dish si të fitosh dhe të dish si të humbësh, por ajo çfarë ka më shumë rëndësi është respekti ndaj njëri-tjetrit. Politika nuk ka të bëjë me armiq, politika ka të bëjë me ide të ndryshme dhe ndonjëherë është disi e vështirë të kuptohet se cilat janë idetë që diskutojnë, ndaj mendoj se është tejet e rëndësishme për të gjithë ata që duan ta quajnë veten e tyre politikanë e duan të tregojnë dhe provojnë se është vërtet interesi i vendit të tyre ai që kanë në mendje dhe për të cilin punojnë, të mblidhen bashkë, të ulen, të gjejnë zgjidhje; ta vendosin veten dhe interesat e tyre nën ose shumë më poshtë interesave të vendit që përfaqësojnë.
Tashmë është bërë publik emri i pasardhësit tuaj. Përveç dokumenteve zyrtare, shkresave pa fund që do t’i lini me informacione, a ka diçka, një këshillë për pasardhësin tuaj, që do ta ndanit me publikun?
Ne jemi njerëz institucionalë dhe përfaqësojmë institucionin, kështu që, në këtë kuptim, pasardhësi im është plotësisht i pajisur me të gjitha informacionet dhe gjithçka që i nevojitet për të filluar menjëherë punën. Gjithkujt që vjen në Shqipëri për të punuar do i thoja se ajo që ju duhet është shumë energji. Duhet të jesh në gjendje të kesh mjaft rezistencë, nëse do të arrish rezultate. Megjithatë, siç ju thashë ky është një institucion dhe gjithçka është e mirëvendosur brenda makinerisë. Ne kemi një organizim mjaft kompleks dhe Bashkimi Evropian është një institucion që ka shumë mekanizma kontrolli dhe, përveçse i uroj shumë fat kolegut tim, ne kemi pasur e do të kemi një sërë mundësish për t’u informuar dhe diskutuar. Në të vërtetë do rezistencë, duhet të kesh shumë energji. Ndonjëherë bëj shaka se, qysh prej fillimit kur erdha në Shqipëri, isha e fiksuar me kohën dhe me faktin që Shqipëria nuk mund të humbte as edhe një minutë më tepër, sepse keni humbur shumë gjatë historisë suaj dhe ndonjëherë ndihesha si në një nga ata filmat, ku trajneri është në dhomat e zhveshjes dhe iu thotë lojtarëve, “Jepi, jepi, jepi”, duke i nxitur, pasi ju duhet të rikuperoni mundësitë e humbura dhe kjo kërkon shumë punë. Nuk është e lehtë të përballesh me këtë shkallë reformash. Nuk është e lehtë, se nuk ke kohë për të pushuar, por është absolutisht e nevojshme.
Pyetja e fundit ka të bëjë me ju, me të ardhmen tuaj. Mund të na thoni se çfarë do të bëni? Pas Shqipërisë ku do të shkoni, nëse keni një detyrë të re? Ka nga ata që thonë se jeni shumë e dashuruar me Shqipërinë, tashmë.
Kamioni me gjërat e mia është nisur tashmë për në Bruksel, pra do të shkoj në Bruksel, në selinë e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian. Do të punoj me sekretaren e përgjithshme. Nuk e di nëse shumë dashuri e thatë si kritikë apo si diçka të mirë. Unë e dashuroj punën time dhe nuk do të isha kurrë në gjendje ta bëja si duhet, nëse nuk do e doja. Për mua nuk është çështje emocionesh, është çështja të japësh gjithçka je, gjithçka di, gjithçka mundesh dhe gjithë vullnetin e mirë që ke për rezultatin që do të arrish.
Do të jetë Shqipëria përsëri në radarin e punës tuaj?
Mendoj që po.
ma.me