Prej javës së tretë të shtatorit të këtij viti e në vazhdim, mësuesit do t’i nënshtrohen provimeve të shtetit. Qendra e Shërbimeve Arsimore bën me dije se testimi do të kryhet brenda ambienteve të këtij institucioni dhe i bën thirrje kandidatëve që të paraqesin dokumentacionin e kërkuar.
“Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); Kopje të Kartë ID ose Pasaportë; Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes;” thuhet në njoftimin e QSHA-së.
Ndërkohë mësuesit duhet të dorëzojnë edhe një kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.
Nëse kandidatët nuk paraqesin ditën e provimit dokumentacionin e sipërpërmendur, atëherë do të humbin mundësinë për të marrë pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.
QSHA më tej bën me dije se kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL-të përkatëse. “Neni 7 i ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009 thekson sa më poshtë: Neni 7 Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”,-thuhet në njoftim, shkruan ‘Gsh’.
Kandidatët duhet të zbatojnë rregulloren me përpikmëri në mënyrë që të mos penalizohen. Përkatësisht ata nuk mund të marrin me vete dhe të përdorin celularët apo mjetet e tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi. “Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA në adresën www.qsha.gov.al, rubrika lista e kandidatëve.”,-thotë Qendra e Shërbimeve Arsimore.
a.ç