Bashkëpunimi i policisë shqiptare dhe italiane çoi në sekuestrimin e 700 kg drogë e në pranga përfunduan dy shqiptarët, drejtues të skafit. Mediat italiane kanë publikuar edhe pamjet e operacionit të zhvilluar në Salento, ku Guardia di Finanza ndaloi motoskafin.
Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është vënë në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.
Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Itali finalizuan me sukses operacionin, edhe si rezultat i bashkëpunimit efektiv të forcave policore të dy vendeve, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse.
Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë. Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku. /ma.me