Një nga prezantuesit kryesorë sportivë të një televizioni në Belgjikë është akuzuar nga prokurorët për grabitje të armatosur, gjatë një bastisjeje të ndodhur në një rajon periferik të Brukselit.
Stephane Pauwels, i cili drejtonte emisione sportive për televizione belge e franceze, u arrestua në vazhdën e një hetimi të rëndësishëm policor.
Pauwels dyshohet për “grabitje të armatosur me armë zjarri, gjatë natës, si pjesë e një grupi kriminal”, tha zëdhënësja e prokurorit federal, Wenke Roggen, për “AFP”-në.
Bastisja ndodhi në qytezën e të pasurve Lasne, në jug të Brukselit gjatë vitit 2017, e u përshkrua nga mediet si një “bastisje shtëpie”.
Arrestimi i tij është pjesë e një hetimi të nisur disa muaj më parë për grabitjet e armatosura, vjedhjet dhe shpërndarjen e drogës – tha Roggen, – me 5 persona aktualisht të prangosur.
Pauwels u kap në qytetin jugor të Monsit gjatë së martës dhe të mërkurën doli para gjyqit, të cilët e akuzuan atë dhe më pas e lanë të lirë me kusht.
50-vjeçari është prezantues në kanalin televiziv “RTL-TVI” të Belgjikës, rrjeti kryesor televiziv privat në vend, por njihet gjithashtu edhe në Francë për moderimin e një sërë programeve sportive në disa stacione televizive.
Përveç futbollit, Pauwels moderon edhe një shfaqje në “RTL-TVI” të quajtur “Stuhitë e jetës”, teksa tregon rrëfenja mbi provokimet dramatike me të cilat përballen të famshmit nga njerëzit e zakonshëm.
Kompania mëmë, “RTL Belgium” njoftoi pezullimin me efekt të menjëhershëm të Pauwels, por tha se shpresonte që kjo ngjarje të sqarohej sa më shpejt.