Nënkryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Denar Biba ka reaguar sërish lidhur me audiopërgjimin mes tij dhe gjyqtarit shqiptar të Strasburgut Ledi Bianku, në të cilën PD pretendon se magjistrati shantazhohet nga përfaqësuesi i mazhorancës për çështjen e pronave.
Përmes një deklarate për mediat nga selia e KQZ, Biba thotë se “nëse biseda do të publikohet e plotë, atëherë do të kuptohet se nuk jemi para një rasti shantazhi”.
“Fakti që Gjykata nuk reagoi atëherë, tregon se sa e parënësishme ishte kjo. Nuk ka qenë bisedë e atillë që të shqetësonte Gjykatën e Strasburgut. Njerëz të caktuar u përdorën për teatër politik”, thotë Biba.
“E vërteta do të zbulohet vetëm kur të publikohet audio e plotë. Siç tha vetë Gjykata e Strasburgut, unë kam takuar gjyqtarin dhe i kam kërkuar që të na asistonte në lidhje me një kërkesë të shtetit tonë për të mundësuar shtyrjen e afatit të ekzekutimit të një vendimi që në atë kohë, kur qeveria sapo ishte krijuar, do të vinte në pozitë shumë të vështirë financat. Bianku e ka konsideruar bisedën me mua si qasje të papërshtatshme. Gjykata pranon referimin e anëtarit të saj për qasje të papërshtatshme, por jo për ndikim dhe aq më pak për shantazh”, shpjegoi Biba.
“Ishte bisedë normale mes dy miqsh, që për fat të keq gjyqtari e ka referuar si qasje të papërshtatshme. Më vjen keq që nuk ma tha në sy dhe ta ndërpriste bisedën në moment”, shtoi Biba.
Ai deklaron se do t’i drejtohet me një letër kreut të Gjykatës së Strasburgut ku do t’i sqarojë të gjithë çështjen. Po ashtu, ai tha se do shprehë shqetësimin lidhur me përgjimin e bërë atij si zyrtar në një bisedë informale.
“Kjo histori po kthehet në shantazh ndaj punës time në KQZ, dhe këtij isntitucionit në prag të nisjes së fushatës zgjedhore. Kam vendosur t’i drejtohem me letër presidentit të Gjykatës, ku do t’i shpreh shqetësimin për manipulimin e ngjarjes, do t’i shpreh shqetësimin që strukturat e gjykatës kanë përgjuar një bisedë midis punonjësit të gjykatës dhe punonjësit të lartë të një shteti anëtar të KE”, tha ai.