Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit që kanë investuar në turizmin e kësaj zone. Rama ka bashkëbiseduar me disa prej tyre, të cilët kanë treguar problemet por edhe arritjet gjatë këtij sezoni turistik. I shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, Rama ka thënë se e kupton vështirësinë e sipërmarrësve për të gjetur staf.
Biznesmeni nga Puka, i tha kryeministrit se problemi kryesor që ka sipërmarrja në këtë zonë është mungesa e krahut të punës. Një tjetër nga sipërmarrësit në fushën e turizmit, i pranishëm në takim, i ka thënë kryeministrit se gjendja vijon të jetë problematike me sjelljen e nënpunësve të administratës tatimore. Biznesmeni kërkoi vëmendje gjithashtu edhe për erozionin, që sipas tij, po merr përditë copa deti.
Pjesë nga bashkëbisedimi me sipërmarrësit:
Rama: Jam impresionuar nga çka dëgjova lidhur me planet e mëtejshme për punën e vështirë për të përgatitur stafin. Do të ishte mirë që të ndanim me ju, vështirësinë për të gjetur njerëz të gatshëm. Po e kaloj mikrofonin tek ju, një lezhjan dhe një nga Puka. Respekte, s’ndaj dot mes pukjanit dhe tropojanit.
Biznesmeni nga Puka: Kryeministri tjetër do ishte me pushime në Karaibe, ky është këtu. Ky është sezoni i parë turistik për ne. unë kam kompani ndërtimi, dhe këtë vit u morëm me turizëm. Mendoj se e ardhmja jonë është turizmi. Për hallet dhe shqetësimet që na kanë ndjekur, ju i dini vetë më mirë. Kemi probleme me krahun e punës. Pagat fillojnë nga 40.000 mijë lekë të reja e lart. Kjo është vështirësia kryesore, ne filluam tre muaj para që të kualifikonim punëtorët, e me trajnimin e tyre. I kemi paguar me pagë të plotë. Këtu thuhet s’ka punë, por ne jemi në hall. Papunësia në Shqipëri është zero, në mediat sociale dhe kudo ku shpallen vende pune, unë kam 50 vende të lira.
Biznesmeni 2: Po na ikin përditë copa deti. E di që duhen para, por po na ikën deti. Unë jam mbështetës i qeverisë suaj por s’jam servil. Ka probleme me administratën. Administrata tatimore s’ka pse bie forcën e saj këtu, por duhet të sjellë fjalën e shtetit.
Biznesmeni 3: Pushteti lokal është katastrofë. Dhera e plehra, hapësira është e ndotur, duhet parë një hallkë që për mua ka të metë. Turistët duan pastërti, se çmimet të lira janë. Duhen trotuarë me ndriçim. Mos e ndalni ritmin
Rama: Ditën kur s’do befasoheni nga veshja ime, dmth që unë duhet të bëj punë tjetër. Ky është i vetmi argëtim që kam. Së dyti s’jemi këtu për të thënë që u mbyll sezoni e as për të bërë bilanc suksesesh por për të vënë disa pika mbi “i”, e për atë që mund ta konsiderojmë sukses. Ju falenderoj që nënvizuat se kemi qenë në kontakt disa herë brenda vitit. Pavarësisht nga ajo që mund të mendohet nga ata që komentet i kanë si ajrin që thithin, ne mësojmë nga këto takime dhe bashkëbisedime. Së treti, ajo që thamë në fillim të sezonit është se duam një sezon më të pastërt dhe më të sigurtë. Besoj se ky ka qenë sezoni më i pastër, ka akoma probleme. Një prej tyre, është si të rrisim bashkëpunimin me bashkitë, pavarësisht asaj që ju thoni, kapaciteti i bashkive është po ai, por volumi i mbeturinave të jetë shumë më shumë. Prandaj, problem është kur ka mungesë dëshire, por s’jemi këtu për këtë. Nga konstatimet e vizitorëve ne kemi bërë në vazhdimësi kontakte, kemi patur shumë më pak ankesa për pastërtinë.
/b.d