Deputeti demokrat Flamur Noka në një dalje nga selia blu, publikoi disa dokumente duke denoncuar sipas tij, se si Edi Rama vijon të favorizojë një ndër binznesmenët e afërt, duke i dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit.
“Kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, siç provohet edhe në dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e radhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit, 1.8 milionë euro. Marrja me qera e makinave është korrupsion i pastër për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, kjo sepse harxhohen miliona euro për makina me qera dhe makinat nuk i mbeten policisë, por i rikthehen përsëri mikut të Ramës. Kostoja e marrjes me qera të makinave është më e madhe sesa blerja e tyre”, u shpreh Noka.
Ai tha se favorizimi me tendera nuk ndalet vetëm me makinat e policisë, por se në dy vitet e fundit, nga kompania shtetërore OSHEE, kompanitë e preferuara të Ramës, në pronësi të Agron Papulit kanë përfituar 6 tendera, me vlerë 4.3 milion euro.
Noka e cilësoi si një korrupsion të paracaktuar dhe një akt korruptiv kriminal, pasi të gjitha specifikat e tenderave për makinat në qeverisjen e Edi Ramës janë përcaktuar nga vetë Agron Papuli duke pamundësuar garën për të tjerët.
Sipas deputetit demokrat, janë 127 tendera që i janë dhënë mikut të kryeministrit, Agron Papuli, që prej ditës që qeveris Edi Rama.
Në këtë linjë shtoi se duke bërë një llogari të thjeshtë, rezulton se nga buxheti i shtetit për mikun e kryeministrit Agron Papuli, janë dhënë 17.3 milion euro.
Ai tha se 1.8 milionë eurot e përfituara në korrik të këtij viti janë kësti i fundit i një politike arrogante të kryeministrit, i cili buxhetin e shtetit e shpërndan ekskluzivisht për familjen e tij, baxhanakun, miqtë e deputetëve të partisë si dhe për oligarkët që pastrojnë paratë dhe paguajnë tarifën tek kryeministri.
“Por zullumi i kësaj qeverie s’ndalet së trashuri, prandaj klika e baxhanakëve, e miqve të gruas dhe e grave të miqve s’mund të mbijetojë gjatë. Shqiptarët nuk do të lejojnë që Edi Ramës t’i jepet shansi ta privatizojë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha në mbyllje deputeti demokrat./a.m.