Në një prononcim për Report TV, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka komentuar aktualitetin politik dhe zhvillimet brenda forcës që përfaqëson.
Ndërsa shtohen zërat për ndryshime në qeveri, Balla thotë se për të, të gjithë ministrat e kalojnë testin, por vendimi final i takon kryeministrit Rama.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi gjithashtu edhe një audiopërgjim të publikuar në media ku ish-kreu i KQZ-së, Denar Biba i kërkonte favore gjyqtarit shqiptar në Strazburg, Ledi Bianku.
Ai thotë se të dy personazhet kanë detyrim publik për shpjegime. Balla thotë se ka dyshime që biseda në fjalë të jetë përgjuar në shtëpinë e dy miqve. Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe vetë Biba, duke thënë se bëhej fjalë për një material audio të manipuluar.
Sa për akuzat e artikuluara nga PD-ja se ka ndikuar që biznesmeni Edmond Bego të fitojë 14 mln euro tendera publikë, Balla i qëndron versionit të tij se nuk e ka ndihmuar.
/b.d