Nga Enver Robelli
Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e lojërave të kundërshtarëve të pavarësisë në ekipin e Donald Trumpit. Kjo administratë po ballafaqohet me probleme të mëdha dhe nuk përjashtohet mundësia që Trump të përfundojë në procedurë shkarkimi. Këshilltari i tij John Bolton ka qenë me vite komentator i televizionit propagandistik rus «RT». Ka qenë kundërshtar i ashpër i pavarësisë së Kosovës. Bashkë me Lawrence Eagleburger, ambasador shumëvjeçar në Jugosllavi dhe ministër i Jashtëm amerikan për një kohë të shkurtër në fillim të viteve ‘90, Bolton ka shkruar shkrime në media të parëndësishme amerikane kundër pavarësisë së Kosovës. Bolton i takon grupit të neokonservatorëve amerikanë që shqiptarët nuk i sheh si komb europian, por si myslimanë të ngjashëm me ata në Somali e Siri. Kaq e thjeshtë është bota e tij. Dhe kaq e rrezikshme. Bolton nuk ka asnjë interes në forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Ai shqiptarët i sheh vetëm si myslimanë të rrezikshëm që duhet të dominohen nga sllavët (e krishterë) në Ballkan.
Skandali i vërtetë është se parlamenti i Kosovës nuk ia ka caktuar vijat e kuqe presidentit të Kosovës për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Debati për copëtimin e Kosovës është hapur dhe krejt partitë, edhe PDK e Hashim Thaçit, sillen si patat në mjegull. Sepse parlamenti dhe partitë ia kanë dhënë Thaçit një blankoçek për të lozur bixhoz me Kosovën, me të ardhmen e saj, me tërësinë e saj territoriale.
Tani është momenti i fundit për të marrë qëndrim: ose partitë dhe parlamenti në Kosovë janë për ndarjen e Kosovës (me partnerë John Boltonin, Aleksandar Vuçiqin, Millorad Dodikun e serbëve të Bosnjës, Kremlinin e Vladimir Putinit dhe me pensionistin austriak Wolfgang Petritsch, i cili për ndonjë honorar të majmë tregohet shumë elastik deri në rënie në gjunjë për aventura politike) – ose partitë dhe parlamenti në Kosovë pozicionohen qartë kundër ndarjes dhe në krah të Gjermanisë së Angela Merkelit dhe shumicës së shteteve të BE-së.
Ndarja e Kosovës nuk duhet të bëhet nëse Kosova jep mbi një të tretën e territorit për të marrë disa fshatra gati bosh në brezin kufitar Kosovë-Serbi. Nëse Bolton po dëshiron të vizatojë kufijtë në Ballkan, atëherë me shqiptarë e ka lehtë: kufijtë e tyre etnikë nuk janë caktuar me gjenocid si në rastin e serbëve të Bosnjës. Qe 150 vjet viset shqiptare shkojnë duke u rrudhur. Përse të humbet një e treta e Kosovës dhe të pranohet që Maqedonia e Mali i Zi të mbajnë nën kontroll vendbanime të tëra me shqiptarë? Nëse për 40 mijë serbë hidhet në ajër Republika e Kosovës, me çfarë argumenti kërkohet që 500 mijë shqiptarë të Maqedonisë të përqafojnë multietnicitetin gjenial maqedonas, ku gjuha shqipe nuk guxon të përdoret as në Mbrëmjet Poetike të Strugës? Nëse Kosovës i merret Mitrovica (së paku gjysma), shumica e pasurive të Trepçës dhe liqeni i Gazivodës, a mund të pyesim: përse Ulqini të jenë pjesë e Malit të Zi? A mund të pyesim: a do të jetë pjesë e Kosovës tërë lugina e Preshevës apo vetëm disa fshatra të zbrazura në brezin kufitar Kosovë-Serbi?
Për klasën politike të Kosovës është çasti vendimtar të mbajë qëndrim. Kosova duhet të zgjedhë: me Boltonin apo me Merkelin? Ankesat se të gjitha të zezat këtij vendi po ia shkakton Hashim Thaçi nuk tingëllojnë më të besueshme. Janë shumica e partive politike që symbyllur ia kanë dhënë mandatin Thaçit për ta nxjerrë Kosovën në ankand. Tash – ose duhet të bëhen pjesë e lojërave të tij – ose të bëjnë politikë në mbrojtje të Kosovës së pandarë.