Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar aksionet për identifikimin dhe ndalimin e veprimtarive të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.
Konkretisht, mësohet se gjatë aksionit që AKU po ushtron në zonat bregdetare, trupa inspektuese e Vlorës ka bllokuar dy subjekte, me aktivitet “Restorant” dhe “Bar-Piceri” ku kryenin veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare.
Ndërsa një tjetër subjekt me aktivitet “Restorant” është goditur nga AKU për shkak se tregtonte produktin “Dater” ose ndryshe “midhja hurmë” , tregtim I cili nuk lejohet sipas legjislacionit në fuqi.
Ndaj dy subjekteve Bar-Piceri “Kasamili” dhe Bar-Resorant “Donika Haxhiraj” në Jonufër, Vlorë janë marrë masë administrative gjobë (për kushte të rënda higjeno-sanitare) si dhe bllokim të menjëhershëm të aktivitetit.
Ndërkohë, mësohet se ndaj subjekti, restorant “Lori” në Ksamil u mor masë administrative gjobë 100.000 lekë si dhe asgjësim i 1 kg “dater” duke e bërë të papërdorshëm për konsum.
***
Ja pse ndalohet konsumimi i daterit:
Siç shkruan JavaNews, dateri është i ndaluar prej vitesh të konsumohet. Në vitin 2006, i gjithë Komuniteti Europian e ka sanksionuar me ligj ndalimin e konsumit të këtij molusku.
Nuk bëhet fjalë për një ligj që mbron speciet në zhdukje (i tillë është dateri), por sepse jeton në brendësi të shkëmbinjve dhe në të njëjtën kohë gjahtarët e tyre gërmojnë gropa gjithmonë e më të mëdha për të gjetur këtë molusk shumë të kërkuar.
Si rrjedhojë, mënyra e vetme për ti peshkuar është shkatërrimi i gurëve në det me çekanë apo me lëndë plasëse, shkruan JavaNews.al
Deri sa ishte i ligjshëm peshkimi i daterit, është shkatërruar një numër shumë i madh i shkëmbinjve në Mesdhe, çka ka sjellë edhe shpërqendrim të biodiversitetit marin, si pasojë e çekuilibrimit të habitatit natyror ku rritet dateri.
/JavaNews/b.d