Një oficer i Policisë Provinciale të Ontarios në Kanada ndaloi Batman në Caledon por jo për shkak se ai kishte shkelur ligjin por për një selfie.
Stephen Lawrence, i cili portretizon heroin e famshëm të librit komik, tha se po udhëtonte drejt shtëpisë nga Parry Sound të shtunën, kur vuri re se njerëzit po e fotografonin në ‘Batmobilin’ e tij.
Aktori shpjegon se më pas kishte vërejtur makinën e policisë dhe dritat përmes të cilave e sinjalizonte të ndalonte.
“Ndalova anash rrugës në korsinë e majtë. Zbrita nga makina dhe e pyeta oficeren e policisë nëse çdo gjë ishte në rregull dhe ajo mu përgjigj: Nuk do të humbas mundësinë për të pasur një foto me ju”.
Lawrence tha se nuk dëshironte ta vinte në vështirësi nëpunësen e shtetit pasi nëse do të ishte në atë pozitë edhe ai do të bënte të njëjtën gjë.
Ndërkohë, Lawrence, i cili fitoi rolin e Batman-it vite më parë për shkak të një lidhjeje personale me karakterin, tha se ishte i lumtur që njerëz të shumtë kishin arritur ta fotografonin por i këshilloi që të mos përdorin asnjëherë telefonin ndërsa ngasin makinën.