“Mendova: Kam qenë i martuar, kam dy vajza dhe kam bërë atë që duhet të bëja: që nga tani do jem beqar.
Por më vonë kuptova se jeta ime ishte bosh. Nuk prisja të njihja dikë, por ja që ndodhi. Ajo është shumë më e re nga ç’mund ta imagjinoja”.
Kështu, në vigjilje të martesës së tij të dytë, aktori francez Vincent Cassel ka folur rreth dashurisë së tij për modelen Tina Kunakey, në një intervistë për “Vanity Fair”.
Një dashuri e lindur papritmas, pa shtruar shumë pyetje rreth diferencës së moshës (ai është 51 vjeç dhe ajo 21), sepse, siç thotë vetë aktori francez “nuk e zgjedh dot me kë të dashurohesh”.
Tani që pritet të thotë ‘po’ për herë të dytë, seks simboli i kinemasë ka vendosur të tregojë historinë e pabesueshme të dashurisë me Tinën.
Ish-bashkëshorti i Monica Belluçi, me të cilën ka dy vajza, tregon se Tina është një vajzë e zgjuar, e pavarur dhe ‘burrneshë’, shkruan Ora News.
Takimi i tyre ishte si një rrufe në qiell të hapur.
“Kuptova se isha dashuruar me të ditën tjetër që e kisha njohur. Nuk e dija sa vjeç ishte kur e njoha. Kur ma tha, isha pak i surprizuar, por mendova: epo, kështu vajti kjo punë!
Kur zbulova sa vjeç ishte dhe se i ati ishte i shqetësuar pse nuk ishte kthyer në shtëpi në orar, i thashë: “Më lër të takoj babain tënd për drekë” dhe shumë shpejt mendova me vete: “Çfarë më tha mendja? Sapo e kam njohur”.
Nuk e dija pse po e bëja një gjë të tillë, madje isha i bindur se nuk ishte ide e mirë, por gjithsesi i qëndroja deri në fund.”.
Përse martesa me Tinën?
Cassel e shpjegon kështu: “Është një premtim që bëhet para se të krijojmë familje bashkë. Është edhe një mënyrë për të thënë: “Të dua dhe dua që ta marrë vesh bota mbarë.”
Sa për Belluçin me të cilën është divorcuar 5 vjet më parë, ai shton:
“Nuk do thoja dhe nuk do bëja asnjëherë asgjë të keqe në drektim të Monica-s. E dua shumë dhe e respektoj.
Ajo është nëna e vajzave të mia. Nëse do kishte ndonjëherë nevojë për mua, do shkoja deri në fund të botës për të. Me të nuk jemi në luftë”./a.ç