Lidhjet mes politikës dhe Prokurorisë së Shtetit i ka shpërfaqur debati i nxitur pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj dhe publikimit të aktakuzës tashmë të njohur si “Veterani i rrejshëm” nga “Koha Ditore”. Reagimet e politikanëve dhe të Prokurorisë pas denoncimit nga ish- prokurori Blakaj të ndërhyrjeve të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe të segmenteve të politikës në punën e tij e konfirmojnë thellimin e krizës në vetë sistemin e korruptuar politik dhe atë të drejtësisë.Përderisa politikanët po e shajnë e akuzojnë ish-prokurorin dhe vetë sistemi prokurorial po distancohet prej tij, shoqëria civile po organizohet të protestojë.
Në prill 2015 një pjesë e shoqërisë civile i ishin drejtuar ish-presidentes Jahjaga me një letër të hapur nga e cila kërkonin që të “mos lëshonte pe karshi politikës” që, sipas tyre, donin ta eliminonin nga gara për kryeprokuror Aleksandër Lumezin.
Rreth tre vjet pas, të mërkurën (sot) – për herë të parë pas luftës – qytetarët të organizuar nga pjesëtarë të shoqërisë civile do të protestojnë para institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit me kërkesën për shkarkim të Lumezit për shkak të lidhjeve të tij me politikën.
Prokuroria e Shtetit të hënën, me qëllim të sqarimit të faktit nëse ka ose jo aktakuzë për këtë rast, ka thirrur një konferencë për media. Kryeprokurori Reshat Millaku ka tentuar ta zhvlerësojë punën e Blakajt me arsyetimin se “ikja e tij nga Prokuroria e Shtetit është bërë për një pagë më të mirë”. Megjithatë e ka vlerësuar si prokuror trim.
Pa kaluar as tri orë, përmes një letre e ka rrëfyer versionin e tij ish-prokurori Blakaj. Ka thënë se është kërcënuar për rastin e aktakuzës, por nuk është tërhequr për atë shkak. Ka përmendur presionet që, sipas tij, ia ka bërë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, përgatiti Koha. (b.an)