Nga Mero Baze
Nga gjithë paralajmërimet e opozitës për protesta në shtator, më i besueshëm duket aksioni për Teatrin. Pasi qeveria të shqyrtojë dekretin e presidentit dhe ta hedhë poshtë atë, opozita ka llogaritur nisjen e betejës për Teatrin, si aksion kryesor opozitar.
Shumë nga kritikët e opozitës, biles ata brenda saj, ngrejnë pikëpyetje për dispropocionin që ka pesha e një aksioni për Teatrin nga aksionet e tjera opozitare të lëna gjysëm, apo nevoja urgjente për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet brenda PD të lëna gjysëm.
Po përse opozita zyrtare është kaq e fiksuar pas kauzës së Teatrit, edhe pse tashmë ka humbur dhe mbështetjen e aktorëve?
Arsyeja e parë dhe e fundit duket se ka të bëjë me ilustrimin e idesë së protestës. Protesta për Teatrin është e vetmja gjë që e kanë të qartë të gjithë si bëhet. Ajo ka një territor konkret, ka një objekt konkret dhe është arsye e mire për t’u mbledhur, pa qenë nevoja të jenë dhe shumë.
Në mungesë të ideve opozitare dhe forcimit të opozitës, ide të tilla të thjeshta dhe konkrete kanë dominuar gjithnjë axhendën e kësaj opozite.
Po kaq e arsyetuar ka qenë përshembull dhe protesta për këndin e lojrave, pasi edhe ajo, merrte jetë se ishte objekt konkret, i prekshëm, i dhunueshëm dhe i rrethueshëm. E rrethonin dhe numëronin makinat që ndërtonin këndin e lojërave.
Po kaq konkrete u duket dhe ideja që të rrethojnë Teatrin. Është konkrete, e prekshme dhe e kuptueshme nga të gjithë. Është pak a shumë si çadra, një vend ku shkohet çdo ditë për protestë.
Teatri në këtë rast është një çadër natyrore. Ndaj mos u përpiqni të gjeni arsye, çfarë e lidh PD-në me Teatrin. Nuk është PD që po shpëton Teatrin. Është Teatri që në këtë rast po shpëton PD-në, nga kriza e ideve për të bërë opozitë dhe premtimi për t’u bërë të fortë çdo shtator pas pushimeve. Ndaj merreni lehtë. Pasi të hidhet poshtë dekreti i presidentit, lereni opozitën tek Teatri dhe vazhdoni punën. Ndoshta e kuptojnë duke ndenjur aty se Teatri nuk i rikthen në pushtet, por së paku i kthen në opozitë. Nuk është pak, nga asgjëja. (Tema)