Atletico Madrid nuk ka mundur të ruajë të njëjtin hap me të mëdhenjtë e tjerë të La Ligës, Barcelona e Real Madrid, duke e nisur sezonin e ri me një pikë, edhe për shkak të transfertës së vështirë që i kishte rezervuar kalendari, atë në “Mestalla” ndaj Valencias.
Superkampionët e Europës, që vinin vetëm 5 ditë pasi triumfuan në finalen e Talinit përballë rivalëve të përjetshëm “Los Blancos”, arritën të kalonin në avantazh pas 26 minutash lojë në stadiumin e Valencias, pas golit të shënuar nga Correa, i asistuar nga kampioni i botës Griezmann.
Por, me rikthimin e skuadrave nga dhomat e zhveshjes, pas pushimit midis pjesëve, Valencia gjeti shumë shpejt golin e barazimit me të përhershmin Rodrigo, në minutën e 56.
Edhe pse ishte një ndeshje e luftuar ashpër mes dy skuadrave që pretendojnë vendet e larta të klasifikimit, rezultati nuk do të ndryshonte deri në fundin e takimit. Ndërkohë, La Liga mbyll javën e parë me duelin Athletic Bilbao – Leganes.
ma.me