Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar në lidhje me një raport të publikuar në media dhe që i referohet shërbimit inteligjent amerikan.
Përmes një deklarate, MPB shprehet se nuk ka asnjë raport të fundit për vendin tonë nga CIA.
Sipas institucionit në fjalë, lajmi është keq-orientues dhe i pasaktë.
Njoftim i MPB:
“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online.
Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.
Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot “print-screen” të faqeve përkatëse të “Factbook” sipas viteve.
Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit.
/b.d