Nga Elkjer Bushkolaj/
Nëse do t’i hedhësh një sy profilit në Facebook të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duket sikur po lundron në profilin e një zyrtari te lartë zviceran apo skandinav, ose të një blogger-i amerikan.
Në një kohë që mbi 60% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi që të kalojnë pushimet brenda vendit, Kreu i Shtetit ka nisur prej ditësh vizitat në alpet shqiptare, ku nuk ndalon së publikuari foto, a thua se kemi pak politikanë që me aktivitetin e tyre në rrjetet sociale konkurrojnë dhe “pjeshkat” e showbiz-it.
Madje, së fundmi, nga Brezovica na tregon dhe shembuj bashkëjetese mes shqiptarëve dhe serbëve, në një kohë që këta të fundit prej 100 vitesh ushtrojnë terror ndaj popullit shqiptar në Dardani, duke përfituar edhe nga eunukëria e Tiranës Zyrtare dhe Prishtinës Zyrtare.
Ai bën apel për bashkëjetesë me serbët, të cilët në kuadër të shkëmbimit të territorit dhe paqes në Ballkan duan të japin tokë shqiptare për të përfituar po tokë shqiptare në këmbim mundësisht me më shumë pasuri natyrore.
Në një kohë që qeveria nuk njeh limite në arrogancën e saj dhe opozita është kapluar nga gjumi dimëror, pikërisht në mes të gushtit, Presidenti i Republikës, ka detyrimin ligjor dhe moral t’i kërkojë llogari qeverisë për gjendjen ku është katandisur vendi ynë.
Një krim makabër ndodhi në Vlorë dhe Presidenti duhej të ishe atje për ceremoninë mortore, pasi ajo tragjedi nuk ndodhi, as si pasojë e vjedhjes pulave, as e konflikteve për pronën, por si shkak i mosfunksionimit prej vitesh të asnjë hallke shtetërore dhe degradimit të institucioneve të rendit dhe drejtësisë.
Sa për këtë të fundit, ju kujtoj se një javë pas atij krimi monstruoz nuk është prapa hekurave asnjë inspektor policie i zonës, asnjë drejtues poste policie dhe as Drejtori i Policisë së Vlorës, teksa më e pakta do duhej të ishin shkarkuar për t’u bërë shembull dhe për të dhënë një mesazh se shteti është në këmbë.
Krimi sot është më i pushtetshëm se kurrë.
Madje në shumë zona të vendit përcakton edhe drejtuesit e njësive vendore dhe përfaqësuesit në parlament, pak rëndësi ka krahu politik, pasi për të i rëndësishëm është pushteti ekonomik.
Me mijëra familje shqiptare, shpresën e vetme për mbijetesë kanë largimin nga vendi, teksa eksodi i të rinjve është i ngjashëm me atë të viteve 1990.
Ju president, jeni bashkëfajtor për këtë situatë, pasi 3 dekadat e fundit keni mbajtur pozicione të larta në Shtetin Shqiptar, së fundmi postin e presidentit.
Ekonomia shqiptare sot është peng i taksidarëve të shtetit dhe haraçit të gjobëvënësve, ndërsa ata që e paguajnë më shtrenjtë çmimin e këtij çorganizimi të organizuar janë shqiptarët e thjeshtë që kanë zgjedhur të jetojnë me dinjitet në vendin e të parëve.
Sot shqiptarët i paguajnë dritat dhe ujin më shumë se asnjë popull i rajonit, e për ironi të fatit fqinjët blejnë energji elektrike tek ne, dhe jemi ndër vendet më me shumë burime ujore në botë.
Sa për cilësinë e produkteve ushqimore, të mos flasim…; se fermerë e blegtorët shqiptarë i kanë rënë hiles dhe u thonë oligarkëve “s’keni pse shkoni deri në Maqedoni e Bullgari për të marrë produkte bujqësore e blegtorale me hormone, kur mund t’i prodhojmë këtu.”
Karburanti për nga çmimi konkurron vendet nordike, ndërsa sa i përket cilësisë, as shoferët e Afrikës nuk do t’i mbushnin makinat me të, por ne pranojmë se jemi patriotë dhe e kemi produkt Ballshi, ndonëse e paguajmë sikur na vjen nga Venezuela.
Ju vetë, kur ikni jashtë vendit nga Rinasi, gjeni kohë të ndaloni në Bubq, të takoni Ijen e Besit, por ajo falë nipit të saj nuk ka nevojë për praninë tuaj, sa kanë të moshuarit në azile që t’i vizitoni herë pas here, jo vetëm për Vitin e Ri.
Uroj ta gjeni kohën dhe për të vizituar spitalet, ku do takoni pacientë që nuk kanë asnjë mundësi t’i blejnë ilaçet në farmacinë përballë dhe zgjedhin të ikin në shtëpi me shpresën se me ndihmën e Zotit do t’ia hedhin.
Kur të vizitoni fasoneritë, pyetini punonjëset për rrogat, sigurimet dhe kushtet e punës.
Të flasësh për problemet e këtij vendi duhet një natë e gjatë dhjetori dhe jo një natë e shkurtër me temperature të lartë gushti.
Atë kohë që e gjeni për pushime dhe vizita jashtë vendit, uroj ta rezervoni dhe për të shkuar në “Shqipërinë tjetër”, atë realen që lëngon mes padijes e skamjes me shpresën se e nesërmja do jetë më e mirë.
Po cfare kerkon nga ky hajdut e maskara more spo te kuptoj.Po ai ruhet nga sherbimi serb o vlla dhe eshte agjent i tyre dhe i ruseve mor te keqen .Kte e dime te gjithe …Vetem ti nuk e dike…Hajd se i ka marre malet nga halli jo nga qefi..