Publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se është një burrë shteti i dështuar. “Ligësinë njerëzore mund ta zbulosh pasi individi të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm. Kështu që nuk kisha si ta shpalosja ligësinë e Edi Ramës përderisa ai ishte i mirë me të gjithë që mund ta ndihmonin të ngjitej atje ku synonte: ta mposhtë popullin e vet dhe ata që i kishin besuar.
Po, ligësia e tij si njeri është ajo që sot më bën ta konsideroj si burrështetas të dështuar dhe si politikan të cilit nuk duhet besuar”, thotë ai në një intervistë për Entela Resulin e Ditas. Sipas tij, Rama është shkëputur nga realiteti:
“Siç duket ai prej moti është shkëputur nga realiteti në të cilin jetoni dhe është shpërngulur në botën e tij imagjinare duke besuar se po të mos ishte ai çdo gjë do shkonte “në të s’ëmës”.
Pjesë nga intervista:
-Ju e keni patur pritshmëri më të larta për kryeministrin Edi Rama?
Sa për vete, gjithmonë e kam ditur se partitë politike nuk janë as akademi shkencash, as organizata humanitare, e as shoqata filozofësh e intelektualësh, por grupe interesi, që synojnë marrjen e pushtetit. Por ama, e pranoj publikisht: kurrë nuk e kisha paragjykuar e besuar se ato do bëheshin atë që në pjesë të madhe i karakterizon partitë shqiptare – strehimore për injorantët, karrieristët e sëmurë, gënjeshtarët, banditët dhe hajnat e kategorive të ndryshme.
Dhe prisja që Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, si njeri i mençur, e ka kuptuar se nuk ka politikanë më të rrezikshëm se ata që e kanë humbur pushtetin mbi vetveten. Dhe se do bëjë çmos që kjo të mos i ndodh edhe atij. Por për fat të keq, ndodhi e kundërta: ai shpejt e mësoi si sundohet populli, por jo edhe vetvetja!
-Përpara disa vitesh ju keni qenë një mbështetës i kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa tashmë jeni një kritik i fortë. A mund ta bëjmë pyetjen se çfarë ka ndodhur mes Kimit dhe Edit në rrafshin personal apo nuk ka asgjë të tillë?
Nuk ka asgjë personale dhe as që mund të ketë ngaqë me Kryeministrin e sotëm të Shqipërisë nuk kemi asnjë të kaluar, apo të sotme të përbashkët. Nuk besoj se atij do mund t’i ketë mbetur hatri pse gjatë viteve kur ai e promovonte “Kurbanin” nëpër vendbanimet shqiptare, unë nuk pranova që t’ia promovoja librin në Shkup, edhe atë për arsye që nuk kishin të bëjnë personalisht me të, por pse kurrë nuk jam marrë me përurimin e librave me prapavijë politike dhe të shkruara nga politikanët, ngaqë e di se librat e tillë nuk i shkruan dora krijuese, e as mençuria personale, por inati politik.
-Ju, më herët në analizat tuaja e keni vlerësuar atë (Ramën) si një mendje të mençur, po tani, a ka ndryshuar mendimi juaj për të?
Dallimi i parë që bëj mes politikanëve dhe njerëzve në përgjithësi është ajo më e dukshmja që mund ta vëresh te ata: mençuria e tyre. Dhe Kryeministrit të Shqipërisë nuk mund t’i mohohet mençuria si dhe dhuntitë oratorike. Siç nuk mund t’i mohohet se është njeri i informuar që lexon, që flet një shqipe të begatë, e që janë tipare të cilat i çmoj te njerëzit.
E sa i përket ligësisë njerëzore, atë mund ta zbulosh pasi individi të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm. Kështu që nuk kisha si ta shpalosja ligësinë e tij përderisa ai ishte i mirë me të gjithë që mund ta ndihmonin të ngjitej atje ku synonte: ta mposhtë popullin e vet dhe ata që i kishin besuar.
Po, ligësia e tij si njeri është ajo që sot më bën ta konsideroj si burrështetas të dështuar dhe si politikan të cilit nuk duhet besuar.
-Një vit e gjysmë më parë ju u bashkuat me opozitën në çadër, ishte një veprim inatçor ndaj Ramës apo besoni realisht te kjo opozitë dhe te kreu i saj, Lulzim Basha?
Jam në moshë kur e kam kuptuar se ç’ndonjëri që bën diçka për inat të tjerëve, më parë e plas vetveten se të tjerët. Në çadrën e opozitës shkova që të them atë që thashë: se neve shqiptarëve të Maqedonisë nuk na duhet as PD, as PS e fortë, por një Shqipëri e fortë. Se ne nuk duam Shqipëri të çadrave, por një mëmëdhe që do jetë çadër për mbarëshqiptarin.
-Keni ju një njohje me kreun e opozitës Basha dhe çfarë mendoni për të si lider politik?
Me prijësin e PD-së nuk kam njohje personale dhe për herë të parë e të fundit me të jam takuar pesëmbëdhjetë minuta para se të shkoja në çadrën e opozitës.
Mendoj se ai nuk ia doli ta shfrytëzojë mundësinë që iu dha – të bëhej prijës i mbarë opozitës shqiptare. Njësoj siç besoj se atë më shumë e dëmtuan të privilegjuarit e përjetshëm të PD-së, se sa kundërshtarët politikë. Thjeshtë, ai nuk e parallogariti mirë se PD-ja ishte bërë strehimore e atyre që, njësoj si këta ‘rilindësit’ e sotëm, besonin se shteti u takon vetëm atyre dhe se shqiptarët janë të mirë e të mençur vetëm kur i voton ata dhe se, kur ata mbeten larg grazhdit të pushtetit, nuk vlen gjë as Shqipëria as shqiptaria.
-A mos vallë në këtë jemi pa alternativë qeverisëse? Kemi një qeveri arrogante dhe një opozitë të paaftë!
Nuk mund të flitet për opozitë frytdhënëse në një vend ku çdonjëri i mbron hajdutët e vet dhe ku mbisundon mendësia se hajduti dhe krimineli i partisë sime, është më pak hajn e keqbërës se ai i partisë kundërshtare.
Pastaj nuk mund të flitet për mirëqeverisje dhe opozitë aty ku çdo gjë i takon partisë në pushtet, e asgjë të tjerëve. Shtetet e tilla janë në duar të regjimeve dhe në ato vende, partitë nuk kanë për qëllim forcimin e shtetit, por të vetvetes. Dhe alternativa e vetme që u mbetet qytetarëve është të bëjnë spastrimin e elitave politike, por jo vetëm të tyren. Dita
ma.me