Ndeshja e parë e Superligës për sezonin e ri mes Skënderbeut dhe Partizanit, e cila po luhet aktualisht, ka degjeneruar në dhunë mes dy tifozërive të skuadrave.
Para fillimit të kampionatit është rënë dakord që në sfidat e Superligës këtë vit të mos këtë më policë në stadiume dhe që sigurinë do ta afrojnë kompanitë private.
Ky eksperiment duket se ka dështuar që në start. Pas sharjeve që nuk kanë reshtuar përgjatë gjithë lojës, në minutën e 72-t tifozët e dy skuadrave duke përfituar nga rojet e pakta të sigurisë janë futur në fushë duke u përleshur me njëra-tjetrën.
Normalizimi i situatës ka ardhur vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilat sipas urdhërit të ri qëndrojnë jashtë stadiumit në momentet kur luhet ndeshja.
Sa i përket rezultatit, Skënderbeu ka mbyllur me fitore sfidën e parë të kampionatit, pas një ndeshje shumë të ethshme mes dy skuadrave që kanë treguar rivalitet të lartë që nga minuta e parë e takimit.
Dueli ka qenë i barabartë, me skuadrat që kanë krijuar pak raste për shënim para portave kundërshtare dhe është vendosur nga një episod në fundin e saj, ku Bregu ka fituar një penallti pas një kontakti me Hoxhën.
Muzaka ka shënuar nga pika e bardhë duke i dhënë tre pikët Skënderbeut për një fillim të mbarë të sezonit nën drejtimin e Shehit.