Nga Kastriot Kotoni
Libri me tregime ”70000 Dukagjinas” i shkrimtarit Vasil Makoçi botuar nga shtëpia botuese “Marin Barleti” ishte sërish në stendat e librit si pjesë e panairit të librit organizuar në qytetin e Durrësit këto ditë të nxehta vere. Një libër me tetë tregime, i shkruar në vite të ndryshme kohore dhe jo pa shkak në të janë përzgjedhur e mirëmenduar tregime të cilët kanë vërtet një asht artistik si në formë edhe në përmbajtje. Ka në to kreshpa të simbolikës duke evokuar mitet e mot-moteve të legjendave shqiptare, siç ka edhe potenciale të një realizmi kritik, por edhe një letërsi bashkëkohore pse jo dhe postmoderne. Përsiatjet e tregimtarit V. Makoçi për t’i dhënë përgjigje gjendjes historike të vendit nëpërmjet legjendës së “Murosjes” kanë në ato pak faqe një metaforë, sa vëllezër kanë qenë, tre apo tre në një ka pak rëndësi, po a do të ndërtojnë diçka për të ardhmen e për brezat që do të vijnë? V. Makoçi me koherencën e një tregimtari qyteti e fillon qysh me tregimin e tij të parë “Kastrum” gjithë poetikën e këtij libri. Si askush tjetër në tregimin “1985” ai ka stimuluar kujtimet e kujtdo qytetari tiranas si për momentin e atëkohshëm, ku vdekja e Enver Hoxhës është përcjellë në mënyra nga më të ndryshmet. Forca e ndjeshmërisë së rinisë së hershme të një adoleshenti, falë një përshkrimi ideo-emocional plot figuracion pse jo edhe një gjetje estetike plot sarkazëm, e bën lexuesin si rrallë herë ta rilexojë këtë tregim deri në rreshtin e fundit. Autori, sa është vetvetja po aq është edhe tjetri, ne apo ato, domethënë gjithpërfshirës në vetëdijen individuale dhe kolektive të shoqërisë shqiptare me pyetjen “Si e pritën shqiptarët vdekjen e udhëheqësit komunist”. Ka parabola të dykohësisë siç do dëshironte mendja e një adoleshenti, po ka kaq realizëm në dialogun me dajën e tij, i cili kishte “cen në biografi”. Absurdi i asaj kohe kishte prodhuar edhe dashurinë nga frika për udhëheqësin, siç edhe dashurinë pa hipokrizi të njerëzve që vërtet mendonin se udhëheqësi dhe partia ishin Zoti, nëna e baba i tyre. Kalimet nga perifrazimet e autorëve të ndryshëm botërorë në mes të tregimit krijojnë një pauzë të qëllimshme të tregimtarit për ta rikonfirmuar vëmendjen e lexuesit edhe përmes mendjes botërore, si një proçes ndërgjegjësimi psikologjik, ku autobiografia e tregimtarit nuk mjafton, por ashtu të kopsitura mirë ato marrin e japin atmosferë dhe gjendje shpirtërore të lartë si dy enë komunikuese.
“70000 Dukagjinas”, tregimi me të cilin me plot të drejtë ka mishëruar edhe titullin e librit është ndoshta fat i prerjes për të qenë një shkrimtar premtues Vasil Makoçi. Rreshtat e librit e kanë ngritur kurthin e autorit që nëpërmjet padurimit lexuesi të nxitojë të përfitojë shifrën 70000 si një kod shenjtorësh, pse jo edhe të gjithë metaforën e saj ta përpijë në një sistem hermetik deri në faqen e fundit. V. Makoçi si tregimtar kozmopolit ka në embrion unin e kombit të tij me doket e zakonet e veta, por po ashtu kumtet e instrumentalizimit intelektual të përshtatshmërisë me botën perëndimore. Personazhin e tij e ka mbushur plot figurshmëri e me shumë ajër emocional, ku loja me personifikime e dikotomi është shumë racionale nga ana e tregimtarit. Skalitja psikologjike është arma kryesore e V. Makoçit. Atij i dhimbet personazhi, situatat janë thurur si endepunues ku e përpikta me të përsosurën flenë bashkë, por nuk ngjasojnë, sepse pena e tregimtarit kalon tek historikja në funksion të së tashmes me shumë mjeshtri përkundrejt fabulës plot sharm ”Ti Dukagjinas, që dikur kishe luftuar për kombin si askush, që kishe dhe eposin më të lashtë përballë një kapteri xhuxhmaxhuxh, nuk guxove të thoshe apo veproje asgjësend, pjekuria për një revoltë kolektive ishte vite hëne larg. Ndjenja e protestës ishte në gjumë letargjik”. Nikolla personazhi kryesor me një hall të madh në sup kishte marrë udhët e mërgimit në perëndim. Atij nuk i hynte asgjë në sy përball hallit të tij edhe pse punët e parasë ecnin. Kur e ndjek pasazhin pasardhës, çdo lexues i bën pyetje vetes dhe personazhit: – “po jeta të jep me një dorë e të merr me tjetrën?”. Dilemat e ngjarjes janë njëra anë, por dilemat e personalitetit dhe të vetëdijes psikomentale të kulturës së popullit tonë si janë? Ka kreshpa e male plot emocion ideoartistik në këtë tregim postmodern, aq sa ka edhe një formë dhe përmbajtje të re në rrëfimtarinë e tregimit shqiptar. Cila do ish zgjidhja? Ka plot manuale letrare qysh nga koha e Homerit e Shekspirit e Molierit e Dantes, Markezit dhe Choelios, por kjo zgjidhje që është dhënë nga autori Makoçi krijon palë mes vet shqiptarëve, pse jo duket shumë ekzotike për një lexues të huaj. Vokacioni kuluror dhe intelektual i Makoçit ka stacionuar në emancipimin shpirtëror të personazhit si dhe tejkalimin e kodeve morale të intrumentalizuara.
Tregimi “Krahu” nisur nga ajo çka është shkruajtur deri më tash në Shqipëri mund të themi me plot gojën se V. Makoçi kalon një sprovë për sa i përket të treguarit në vetën e parë të një trilleri. Ka harmoni në gjendjen psikoemocionale të personazhit, siç ka edhe dritë për të qenë i barabartë dhe normal në jetën e përditshme(një njeri me krah të këputur). Zotërimi i shëndetit nuk varet nga njeriu, pasi ka faktorë të shumtë që e mundësojnë apo jo atë, po e rëndësishme ngelet të sjellurit ndaj një të sëmuri. Çfarë pikpamjesh ndryshojnë tek personazhi i gjymtuar na sygjestionon tregimtari.. Ai dashuron si më parë, po të tjerët si sillen? Krahu me dykuptimësinë e tij flet shumë si metaforë. E kërkon një krah si fëmija që mbështetet tek prindi apo shoku tek shoku si dhe prindi tek fëmija të pamundurit nga shëndeti, pse jo dhe nga ekonomia. Rilindin emocione të reja me të cilat me mënyra të figurshme V. Makoçi ngre lart forcën e dashurisë e cila nuk sheh tek tjetri gjymtimin por shpirtin e tij, besimin tek dashuria e vërtetë.
“Të dëbuarit” një tregim sa realist edhe protestues, me një ligjërim kontravers siç e pohon vetë tregimtari nga një citim i një autori “Reverend Michael Allen”, i cili thotë: “Është më e krishterë të përdorësh fjalë të ndyra në ndjekje të së vërtetës, sesa të përdorësh gjuhë të stërholluar të hijshme në mbrojtje gënjeshtrash të mbarëpranuara”. Kjo hapje e tregimit e fton lexuesin që në respekt të artit të fjalës, në fuksion të produktit artistic, të krijohet ajo qasje emocionale ku ataku emocional të përçojë me vërtetësi gjuhën e personazheve dhe nëpërmjet saj të krijojë një gjendje të caktuar emocionale. Ngjarje të tilla shokante si në tregim kemi dëgjuar dhe lexuar jo pak, por mjetet dhe figurat artistike si në të treguarit e V. Makoçit i hasim rrallë e pse jo duan një mjeshtri në kompozicionin e ngjarjes, duke e njohur me imtësi gjuhën dhe botën mentale të personazheve. Ka metodë fotografimi në këtë tregim, por mjeshtri e ka përthithur realitetin deri në atë pikë sa duket se është një personazh në hije. Kulmet e panoramave me situata e skena krimi janë skalitur me një vertetësi të jashtëzakonshme. Në antitezë me personazhin kryesor një profesor letërsie ngre sarkazmën e kohës që po jetojmë. ”Të dëbuarit andej e këtej kufirit” trajtohen më keq nga bashkëatdhetarët e tyre pa asnjë status kulturor e asnjë profil etnopsikologjik. Kalimet nga krimi racist ndëretnik dhe ndërracor e bëjnë tregimtarin V. Makoçi një shkrimtar antiracist me botëkuptim humanitar.
“Dialogu” një tregim autobiografik me përmasa universale. Karriera e artistit në mëdyshjet e tija dhe ai stofi i tij, i cili përndritet çdo ditë me ndërdije kultuore dhe artistike. Ka epsh për kulturën personazhi, siç ka edhe një jetë personale të ndërtuar sipas fatit dhe rrethanave jashtë ëndrrës së kahershme të regjizorit apo aktorit. Mes një bote amerikane të mundësive dhe pamundësive ndërgjegjja e një artisti nga Shqipëria nuk fle. Hapja mentale mes botëve e ka bërë personazhin vëzhgues profesionist të teatrit dhe kinematografisë amerikane. Ai ndjek dialogjet me artistët më në zë të Amerikës dhe sheh se sa liri mendimi e shkolla teatri lulëzojnë sot në botë. Ka në këtë tregim antiteza personazhesh të tilla që na bëjnë të kuptojmë se përballë gjigandëve të artit nuk duhet të sillesh ndryshe veçse ai që je. Madhështia e këtyre korifejve qëndron në thelbin e të bërit art të vërtetë pa paragjykuar vende dhe kultura të ndryshme. Dialogu jep një gjendje të plotësuar dhe ëndërrues të personazhit dhe ky fill përshkues ndjek erudicionin e tij për artin.
“Prometeu i zgjidhur” tregim i cili ka aplikacion ndërartistik qysh me ndërtimin e titullit. Miti dhe antimiti polemizojnë me njëri-tjetrin përtej universit me intensitet idilik, ku lartësia dhe hapësira e fantazisë dhe imagjinatës artistike nuk ka kufij. Ndërkallje të tilla shpesh quhen ese filozofike ose dialogje me vetveten për të vetmen arsye, sepse gjuha e zgjedhur kërkon nëpërmjet simbolikave një kohë kozmike surreale për t’u futur në labirinthet e qenies njerëzore. Kahja e dimensionit njeri “pse jemi dhe çfarë kërkojmë të jemi”, “a po i ndryshon historia njerëzit dhe vendet”, janë një album i gjallë i penës të V. Makoçit, i cili elaboron me një pastërti dhe kthjelltësi gjuhën shqipe si askush tjetër autor i brezit të tij. Kultura gjuhësore, të cilën e zotëron ky autor, tregon se ai është në kontakt të përhershëm me botën e letrave shqipe dhe ndjek me vëmendje çdo arritje kulturore shqiptare.