DURRES-Policia kufitare në Portin e Durrësit ka arrestuar një shtetas italian, pasi ka tentuar të trafikojë 6 kg e 105 gramë lëndë narkotike e dyshuar marjuanë drejt Italisë.
Gjatë procedurave të kontrollit kufitar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës mbrëmjen e djeshme Policia Kufitare ka ushtruar kontroll në një mjet me drejtues një shtetas italian, me destinacion Italinë.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në vijën e dytë mjetit tip Fiat, në pjesën e poshtme të mbrapakolpit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 6 kilogramë e 105 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marjuanë.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasin italian Piero Mormina 60 vjeç, banues në Itali.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike ” parashikuar në nenin 283 /a të Kodit Penal./a.ç